Qindra qytetarë kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj për të përkujtuar viktimat e të shtënave të para me armë në një shkollë në Serbi.
Masakra e një viti më parë la të vdekur nëntë fëmijë dhe një roje shkolle si dhe gjashtë persona të plagosur.
Një radhë e zymtë dhe e heshtur u krijua jashtë shkollës fillore në qendër të Beogradit, ku një djalë 13-vjeçar qëlloi me armë ndaj shokëve të tij të klasës me armën e babait të tij vitin e kaluar.
Televizionet serbe ndërprenë transmetimet e tyre, duke shfaqur në një ekran të zi tekstin “Kujtojmë”.
Prindërit e viktimave kanë kërkuar që shkolla të mbyllet dhe të kthehet në qendër përkujtimore. Ata kanë organizuar protesta dhe ngjarje përkujtimore për të rritur ndërgjegjësimin tek qytetarët për të ndalur gjuhën e urrejtjes dhe dhunës. Pas 1 viti nga masakra tronditja është ende e pranishme tek qytetarët.
“Pse na ndodhi kjo tragjedi? Cilat janë pasojat e kësaj tragjedie? Dhe më e rëndësishmja, çfarë duhet të ndryshojmë në veten tonë dhe në shoqëri që të mos na ndodhin gjëra të tilla në të ardhmen, ose të paktën të zvogëljmë mundësinë që tragjedi të tilla të ndodhin përsëri?”
Ndërkohë, prindërit e të miturit janë akuzuar se kanë mësuar djalit të tyre për të qëlluar dhe për mossigurimin e armëve në shtëpi.
Gjyqi të babait të tij do të fillojë më vonë gjatë këtij muaji në qytetin e Smederevës. Autori 13-vjeçari Kosta Kecmanoviç është mbyllur në një klinikë psikiatrike pasi për shkak të moshës së tij, ai nuk mund të mbajë përgjegjësi penale.
Të shtënat në shkollë në Beograd pasuan ditën tjetër me të shtëna të tjera në qëndër të Serbisë ku mbetën të vdekur tetë persona dhe 14 të plagosur.
Tronditja dhe zemërimi për shkak të të shtënave me armë shkaktuan muaj të tëra protestash në rrugë që kërkonin dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe kontroll më të rreptë ndaj mediave që përhapin gjuhën e urrejtjes.
Klan News