Ashtu sikur ishte paralajmëruar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, duke nisur nga e hëna autoritetet italiane do të rinisin sërish operacionin për akomodimin e emigrantëve të paligjshëm në Kampin e Gjadrit në Lezhë deri në shqyrtimin e kërkesës së tyre për azil.

Corriere della Sera shkruan se anija e marinës italiane “Libra” do të kthehet në stacionin e saj 20 milje nga Lampeduza për të marrë refugjatët e shpëtuar në Mesdhe dhe për t’i sjellë më pas ata që janë të përshtatshëm në portin e Shëngjinit.

Operacioni për sjelljen e tyre nga Italia në Shqipëri, u bllokua pas një vendimi të gjykatës së Romës, çka detyroi autoritetet të kthenin sërish në vendin fqinj 14 emigrantët që u akomoduan në kampin e Gjadrit.

Në thelb, vendimi i gjykatës së Romës përcaktonte se “procedura kufiri i përshpejtuar” nuk mund të zbatohet për emigrantët që vijnë nga vende të tjera, që konsiderohen të sigurtë vetëm nga Italia dhe jo nga legjislacioni evropian.

Në këto kushte qeveria Meloni miratoi një dekret duke përditësuar listën e vendeve të sigurta, duke i dhënë zgjidhje bllokimit të operacioneve për sjelljen e emigrantëve ilegalë. Dekret ky që Gjykata e Bolonjës së ka dërguar për interpretim në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, pasi pretendon se kriteret e përdorura nga qeveria në përcaktimin e një vendi “të sigurt” bien ndesh me ligjet e BE-së.

Deri tani autoritetet ende nuk kanë bërë zyrtare numrin e emigrantëve që pritet të mbërrijnë në tokën shqiptare, e që më pas do t’i nënshtrohen kontrolleve dhe procedurave për të fituar statusin e azilantit nga shteti italian, procedurë kjo që zgjat deri në 30 ditë.

Klan News