Tekstet shkollore të hedhura në treg për vitin akademik 2009-2010 janë hartuar mbi fakte dhe kritere shkencore të studiuesve dhe pa asnjë ndikim zyrtar. Kështu ka deklaruar Zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, në kundërshtim të deklaratave të PS për ndërhyrje politike në hartimin e tekstit të Historisë së Popullit Shqiptar të klasës së 12.
Halit Shamata: “MASH deklaron se nuk ka asnjë të drejtë ligjore të ndërhyjë në të drejtën e autorit, e cila mbrohet me ligj, brenda kuadrit ligjor, MASH ka përcaktuar procedurën e miratimit të teksteve shkollore. Në të gjitha rastet ka munguar ndikimi zyrtar në pikëpamjet e studiuesve, të cilët kanë qenë të lirë të thonë fjalën e tyre si autor brenda fakteve dhe kritere shkencore. Vlerësuesit kanë punuar në mjedise të izoluara dhe larg ndërhyrjeve nga përfaqësuesit e shtëpive botuese ose autorët e teksteve. Ata kanë qenë tërësisht të pavarur në gjykimet e tyre. Nuk e di se çfarë ndjesie publike shkakton fakti që një tekst historie bëhet alibi për mos hyrjen e opozitës në parlament. Tonet ultimative për tërheqjen e tekstit në një kontekst më të gjerë aktual dhe politik, nuk i bëjnë nder askujt”.
Shamata u shpreh se në bazë të ligjit për arsimit, tekstet e paraqitura për konkurrim vlerësohen nga 200 mësues e pedagogë. Për çdo grup alternativash të teksteve ngrihen komisione me 5 vlerësues, të cilët shikojnë përputhjen me tematikën e programit të lëndës, përshtatjen e gjuhës së tekstit me moshën e nxënësve, metodën pedagogjike, paraqitjen dhe dizenjimin si dhe ndjeshmërinë ndaj barazisë, mos diskriminimi gjinor, fetar, racor, dhe të qenies në pakicë, më pas teksti dorëzohen pranë sekretarisë së Komisionit të Miratimit të teksteve të sekretuara, pa emrin e autorit dhe të Shtëpisë Botuese.
Gjithashtu falë reformës për liberalizimin e teksteve, Shamata u shpreh se janë mësuesit ata që thonë fjalën e fundit duke zgjedhur tekstin me të cilin do të punojnë gjatë vitit shkollor./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami