Shefi i Shtabit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Herzi Halevi, thotë se sulmet e Iranit gjatë fundjavës do të përballen me përgjigje nga ana izraelite.

Deklarata e tij vjen pasi kabineti i luftës i Izraelit u mblodh për shqyrtuar nëse do të kishte reagim nga ana e tyre ndaj Teheranit që lëshoi më shumë se 300 dronë dhe raketa drejt Izraelit. Halevi thotë se Izraeli po shikon përpara, ndërkohë që shqyrton hapat e ardhshëm.

“Lëshimi i kaq shumë raketave dhe dronëve në territorin e shtetit të Izraelit, do të përballet me një përgjigje”, thotë ai.

Ndërkohë, zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes izraelite, Daniel Hagari, ka deklaruar se Tel Avivi duhet të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur shtetin në kohën dhe mënyrën që Izraeli zgjedhë ta bëjë këtë.

Më tej, Hagari është shprehur se sulmi iranian u pengua me një mbrojtje të hekurt teksa ka shtuar se kanë qenë edhe aleatët, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Franca dhe vende të tjera që jo vetëm që e penguan, por edhe e parandaluan atë sulm./tvklan.al