“Sukses, firmosja e marrëveshjes për hekurudhën Vore-Hani i hotit”

Këtë javë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim publikoi raportin e saj më të fundit që analizon disa tregues të qeverisjes, ekonomisë e drejtësisë gjatë 2022-shit në rajonin tonë për t’i dhënë përgjigje pyetjes: A mund të konvergjojë Ballkani Perëndimor drejt standardeve të jetesës në BE?

Sipas kësaj analize të BERZH-it, përafrimi me standartet e vendeve anëtare kërkon reforma, qeverisje më të mirë, nxitje të lidhjeve ndërkufitare dhe ekonomisë së gjelbër. Te gjithë këta faktorë që do të ndikonin për të adresuar problemin e mungesës së aftësive të krahut të punës në rajon duke i bindur të rinjtë apo njerëzit e kualifikuar të qëndrojnë në vendet e tyre apo që të larguarit të kthehen.

Në një intervistë për Tv Klan, drejtoresha e BERZH-it për Europën qëndrore dhe juglindore, Charlotte Ruhe shpjegon se reformat që përmirësojnë qeverisjen, janë një sfidë për çdo qeveri.

Charlotte Ruhe, drejtore e BERZH-it për Europën qendrore dhe juglindore: Raporti i konvergjencës është komisionuar në 2022 dhe sheh pas. Unë besoj se këto shqetësime kanë qenë dhe janë në mendjen e shumë prej qeverive të rajonit edhe në Shqipëri për t’u përmirësuar dhe adresuar veçanërisht në përmirësimin e qeverisjes së kompanive shtetërore, mjedisit të biznesit dhe shtetit të së drejtës.

Duke folur specifikisht për Shqipërinë, ajo vlerëson përpjekjet e qeverisjes për t’u integruar në BE që në këndvështrimin e saj, do të sjellë ndryshime rrënjësore për cilësinë e jetesës në vend.

Charlotte Ruhe: Kryeministri Rama është në krye të këtyre çështjeve, si dhe duke punuar për integrimin e Shqipërisë në BE dhe për Ballkanin Perëndimor si rajon. Besoj se forca dhe motivimi që do sjellë hyrja në BE do të nxisë ndryshime thelbësore në këto fusha dhe do ta bëjë vendin më tërheqës për të rinjtë dhe për të rikthyer ata që jetojnë jashtë vendit. Bashkëpunimi ynë me qeverinë shqiptare është i shkëlqyer dhe për ne ka qenë një proces përvetësimi. Po shoh se kapacitetet implementuese janë rritur dhe për këtë falenderoj ZVKM Belinda Balluku për punën e ekipit të saj.

Ruhe që përfaqësoi BERZH-in në samitin BE-Ballkani Perëndimor e cilëson sukses marrëveshjen për kreditimin e projektit të hekurudhës Vlorë-Hani Hotit që u nënshkrua në Londër në fillim të kësaj jave.

Charlotte Ruhe: Ky grant do të na shërbejë ne dhe Hekurudhës Shqiptare në përshpejtimin e implementimit të projektit dhe ekzekutimin sipas standardeve të BE.

Ky projekt shënon investimin e dytë të Bankës në hekurudhë në Shqipëri pas një kredie prej 36.9 milionë Eurosh për seksionin Tiranë-Durrës, i cili aktualisht është në ndërtim e sipër.

Tv Klan