Elmaz Sherifi, anëtar i asamblesë socialiste, ka shfaqur gjithashtu pakënaqësi mbi mënyrën sesi po e trajton rezultatin e zgjedhjeve të 28 Qershorit, lidershipi rozë.
Akuzat më të forta Sherifi i drejton tek kreu, Edi Rama duke e ngarkuar atë me përgjegjësinë kryesore të humbjes në zgjedhje.
Elmaz Sherifi: “Për mua kjo tingëllon absurde. Absurditet që e kam parë te deklaratat e kryetarit të Partisë Socialiste që ka befasuar këdo që nga zgjedhjet e 28 qershorit Partia Socialiste doli më e fortë se kurrë dhe nuk e kuptoj se si humbjen duhet ta perceptojmë si një fitore. Kjo është një humbje dëshpëruese për të gjithë, por mendoj që duhet shpejt të veprohet, pa humbur kohë. Për të gjetur jo vetëm përgjegjësit, po dhe rrugët e zgjidhjes dhe të mos humbitet kohë dhe të mos manipulohet opinioni publik me shkaktarët e humbjes. As partia nuk u bashkua, as e majta nuk u bashkua dhe këto ishin 2 faktorët kryesorë që çuan humbjen e zgjedhjeve. Fakti që nuk ndodhi ajo çfarë është premtuar nga zoti Rama do të thotë që duhet pranuar humbja dhe kjo kërkon kurajo politike dhe zakonisht kurajon politike e kanë politikanët, politikanët e kultivuar. Zoti Rama vetë ka deklaruar që s’jam politikan që mesa duket është edhe arsyeja që ai e ka shuam të vështirë ta pranojë këtë realitet.”
Sherifi e sheh gjithashtu me shqetësim mënyrën sesi po trajtohen zërat kundërshtarë të kryetarit Rama.
Elmaz Sherifi: “Me keqardhje konstatoj që ka filluar një konflikt i ri brenda Partisë Socialiste dhe shoh që ka emisar, ndërhyrje ne mënyrën më të papranueshme, jo legjitime, nga njerëz që nuk janë kompetent dhe nuk ja u ka dhënë këto tagra askush në bazë të normave si funksionon një forcë politike, po shkojnë po dirigjojnë dhe po persekutojnë të gjithë ata që kanë kurajën të thonë një të vërtetë, e vërteta është që zgjedhjet u humbëm dhe kjo nuk është përgjegjësia e socialistëve, është përgjegjësia e atyre që i premtuan socialistëve se duke qenë në krye të tyre do t’i sillnin në pushtet.”
Për Sherifin largimi i Ramës nga kreu i Partisë Socialiste është mundësia e më e mirë për të mos përgatitur disfatën e radhës elektorale të selisë rozë. Por këtu anëtari i asamblesë kombëtare i shton dhe nevojën për mos rikandidimit të Ramës në këtë pozicion për shkak të dështimit të filozofisë që rezultoi në humbëse në 28 Qershor.
Elmaz Sherifi: “ Për mendimin tim statuti është i qartë,në qoftë se rezulton humbës, ndërpritet mandati, do të thotë vazhdimi i veprimtarisë në krye të një force politike është jo legjitim më andej. Unë shoh që përpjekjet janë të mëdhaja dhe fakti që bëhen deklarata që i quajta absurde se Partia Socialiste dhe Edi Rama i kanë fituar zgjedhjet sepse ata paskan marrë më shumë vota se 2005-a tregon që synimet nuk paskan qenë ato çfarë i janë transmetuar opinionit publik, socialistëve dhe të gjithë atyre që kanë dëshiruar të kishte një rrotacion në pushtet. Pra fitoren e zgjedhjeve. Synimi paska qenë dhe madje qëllimi paska qenë që ne të dalim forca e parë politike dhe duke dalë forcë e parë politike në këtë mënyrë kuptohet dhe se nuk kemi pse i biem në qafë zotit Rama se ai duhet të jetë në krye të Partisë Socialiste edh ky është një handikap tjetër. Të jesh humbës, të japësh dorëheqjen për të rikandiduar kjo më duket nonsens. Se përse duhet të rikandidojë, për të përgatitur një humbje të re.”
Elmaz Sherifi renditet kështu në zërat kundërshtarë te kryetarit Rama që kërkojnë dorëheqjen e këtij të fundit si përgjegjës për rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Anëtarë të kryesisë asamblesë kombëtare, por dhe drejtues lokale të partisë kanë bërë apel publik që Rama të respektoje statutin e partisë që parasheh dorëheqjen automatike në rastin e humbjes së zgjedhje./tvklan.al