“Një konflikt mes disa të rinjve nxënës të shkollës Fan Noli në kryeqytet, por edhe të një shkolle në zonën e Saukut përfundoi në tragjedi. Një prej të miturve nderoi jetë në spitalin e Traumës pasi morri goditje me thikë”, raporton gazetari Besart Bajraktaraj.
Autori dhe viktima ishin nxënës të së njëjtës shkollë “Fan Noli”. Konflikti mes tyre kishte nisur ditën e premte, për motive banale.
Nga dëshmitë e marra, debatin mes tyre është munduar ta ndajë roja i sigurisë. Ndërsa këtë të hënë, dy adoleshentët kanë fyer njëri-tjetrin në tualetin e shkollës. Më pas mësohet se viktima ka lajmëruar shokun e tij, nxënës në Sauk.
Sapo ka mbaruar ora e gjashtë e mësimit, rreth orës 13:10, të rinjtë janë konfliktuar fizikisht disa metra larg shkollës “Fan Noli”.
Në konflikt e sipër ata kanë përdorur thikat ndërsa ngjarja ka ndodhur në sy edhe të nxënësve të tjerë. Autori e ka qëlluar disa herë viktimën dhe shokun e tij, ndërsa ka plagosur edhe veten në krah. Pas ngjarjes autori është larguar në banesë, dhe më pas është dërguar në një spital privat për ndihmë mjekësore.
Pak pas ngjarjes njëri prej djemve ka ndërruar jetë në spitali e Traumës. Sipas mjekëve, ai kishte humbur shumë gjak. Banorë të zonës, por dhe dëshmitarë në vendngjarje shprehen të tronditur për ngjarjen e rëndë, teksa shtojnë se gjithçka ka ndodhur në pak minuta.
Viktima ishte pjesë e skuadrës Dinamo City U-15, e cila shprehu ngushëllimet për ndarjen e parakohshme të tij nga jeta.
Mësohet se forcat e rendit kanë arrestuar në spital autorin e këtij krimi të rëndë. Nga ana e policisë janë shoqëruar disa nxënës që ishin dëshmitarë të këtij konflikti tragjik. Ata janë marrë në pyetje në prani të psikologut.
Klan News