Leonidha Grëmbi është një qytetar i Durrësit, i cili del pothuajse çdo ditë në shëtitoren e qytetit për të shitur libra. Por mesa duket, për Bashkinë e Durrësit, ky është problemi më i madh.
Emisioni “Stop” solli denoncimin e Grwmbit i cili tregoi se prej 8 vitesh del në shëtitore, por Policia Bashkiake e ka ndaluar ta bëjë këtë, madje i kanë thënë, se do t’i bllokojnë librat. Gjithashtu ai tregon, se ka bërë një kërkesë për të shitur si ambulant, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ai u shpreh se me atë punë ushqehet dhe mban fëmijët, ndërkohë bashkia e Durrësit po i heq bukën e gojës.
“Shes libra prej 8 vjetësh dhe tani m’i ndalin librat. Jam vetë i pestë në shtëpi me qira, plus që fëmijët i kam në shkollë, pa punë. Me këto jam ushqyer deri më tani. Prej një muaji policat e Policisë Bashkiake më thonë që të heq librat. Unë kam vajtur tek Policia Bashkiake dhe më kanë thënë që nuk mund të shes libra. Kam 8 vite në këtë vend. Nuk më ka ndodhur. Çdo njeri që ka ardhur unë këtu kam shitur libra. Kam frikë se ata do të vijnë dhe do të më heqin nga këtu. E di dhe vetë sa të dal do të më heqin. Këta të heqin bukën e gojës, këta për vete ushqehen, po unë ku do ushqehem. Kam bërë kërkesë tek bashkia për të takuar kryetaren. Nuk kam marrë asnjë përgjigje nga kjo”, tha qytetari.
Një prej policëve, që e përze Leonidhën shprehet, se edhe në kullën Eiffel lejohet shitja e librave, por jo në Durrës ama.
Denoncuesi: Kjo është mundësia e vetme.
Polici: Libri shitet duke marrë një leje, qoftë edhe me gojë. Kjo puna jote është e paligjshme.
Gazetarja: Pse është e paligjshme të shesësh libra?
Polici: Për arsye se këtu është një shëtitore që nuk lejohet të shitet asnjë lloj produkti.
Gazetarja: Kush e ka thënë këtë?
Polici: Eprorët. Unë librit nuk kam ça i bëj sepse libri është dije.
Gazetarja: Në gjithë Durrësin dhe Tiranën shiten libra, shiten fruta, shiten perime.
Polici: E di!
Gazetarja: Pse pikërisht ky nuk duhet të dalë të shesë librat këtu?
Polici: Ai e di më mirë sesa unë.
Gazetarja: Pse pra? I prishet bukuria shëtitores?
Polici: Kështu e mendojnë. Unë e kuptoj që libri është në ndihmë të komunitetit dhe i shërben se edhe tek kulla Eiffel shiten dhe tregtohen. Sipas vendit, bëhet Kuvendi.
Ndërkohë në të gjithë qytetin e Durrësit gëlojnë shitësit ambulantë dhe askush nuk i shqetëson. Në bashki thanë, se Leonidha fillimisht duhet të marrë një NIPT si ambulant në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe më pas të plotësojë një kërkesë në Bashkinë e Durrësit, ku duhet të përmbushë disa kritere. Përsa i përket shëtitores Taulantia, aty nuk lejohet shitja, pasi cilësohet si kantier ndërtimi./tvklan.al