Intensifikohen zërat brenda Partisë Socialiste që bëjnë përgjegjës për humbjen kryetarin aktual Edi Rama dhe kërkojnë largimin e tij nga kreu i Partisë Socialiste.

Edit Shiroka, kryetari i Partisë Socialiste për Shkodrën, thotë në një interviste për Televizionin Klan se duhet bërë një analize e thelle për humbjen e zgjedhjeve dhe saktëson se statuti e përcakton qartë, që kryetari i partisë duhet të japë dorëheqjen.

Edit Shiroka: “E rëndësishme është bërja e analizave sepse nuk ka thjeshtë një dorëheqje pa ba analizat, analizë është ajo që të vë në pozita pune, të tregon ku janë dobësitë në mënyrë që ato gabime të mos bëhen mo, të mos përsëriten. Dhe dorëheqja pastaj është një proces që normal, thjeshtë duhet të zbatohet statuti i partisë. Nëse këtu të thuhet në mënyrë taksative, humbësi largohet. Respektimi i statutit është në mënyrë taksative detyrim i çdo anëtari të PS-së, duke filluar nga baza deri tek kreu i partisë”.

Shiroka thotë se ndërrimi i kreut të PS-së është i domosdoshëm për të pretenduar një rezultat pozitiv të së majtës në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Sipas tij ne PS ka aktualisht figura të reja e me reputacion që mund të realizojnë aspiratat e socialisteve

Edit Shiroka: “E nëse Rama do largohet, normalisht që asgjë nuk ndodh, figurat e tjera shumë të mira të PS-së ndoshta dhe me një mënyrë tjetër drejtimi mund ta çoj PS-n në fitoren e 2011. Ne kemi figura shumë edhe shumë të mira të PS-së, mrena kryesisë dhe jashtë kryesisë të PS-së. Të cilat mund të jenë nesër pretendent për të drejtu këtë parti që është një pasuri kombëtare e këtij vendi dhe me një proces në kohë, mendoj që çdo gjë do shkoj në rrugën e duhur”.

Kërkesa zyrtare e kreut të PS-së të Shkodrës për largimin e Edi Ramës nga kreu i selisë rozë, pason deklaratat mediatike të Ben Blushit dhe Arben Malajt, që bëjnë përgjegjës Edi Ramën për dështimin në zgjedhje, duke i kërkuar atij në të njëjtën kohë që të pranojë humbjen./tvklan.al

Gazetari: Simon Shkreli