Një raport i USAID-it për shoqërinë civile thotë se Shqipëria përgjithësisht nuk pati progres gjatë vitit 2015. Megjithë disa përpjekje për përmirësime, si p.sh. në aspektin ligjor, vendi konsiderohet se nuk ka mundur të përmirësojë qëndrueshmërinë e shoqërisë civile. Niveli i lartë i korrupsionit, papunësia dhe niveli i varfërisë vazhdojnë të dëmtojnë së tepërmi demokratizimin e shoqërive në mbarë rajonin.
Indeksi i Shoqërisë Civile për vitin 2015 tregon se qëndrueshmëria e shoqërisë civile në rajonin e Evropës është në rënie.
Ndihmës Administratori i USAID-it, Thomas Melia, tha se: “Rajoni po përjeton tashmë rrethana kritike dhe se vihet re një tendencë e kthimit pas, drejt ngushtimit të hapësirave civile dhe atyre demokratike, megjithëse angazhimi i USAID-it është më i lartë se kurrë.”
Raporti nuk paraqet progres për Shqipërinë gjatë vitit 2015, dhe përgjithësisht vendi vlerësohet në të njëjtin nivel të zhvillimit të shoqërisë civile si në vitin pararendës. Megjithëse Shqipëria dhe Kosova përmenden se kanë fituar terren në tërësi gjatë 10-vjeçarit të fundit, kryesisht nëpërmjet përmirësimit të legjislacionit, shoqëria civile në të gjithë rajonin e Ballkanit vlerësohet në gjendje jo të mirë. Rënien më të madhe e ka pësuar gjatë vitit 2015, shoqëria civile në Maqedoni, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi vazhdojnë të radhiten në fund të listës.
Një ndër kontribuesit e raportit, Douglas Routzen, i Qendrës Ligjore Ndërkombëtare Jofitimprurëse, tha se po ngushtohen hapësirat për shoqërinë civile. Pas revolucionit portokalli në Ukrainë, Rusia po udhëheq një fushatë për kufizimin e shoqërisë civile me efekte në mbarë Evropën.
“Qeveritë e ndryshme po ndryshojnë objektivin fillestar të institucioneve që janë krijuar për të mbrojtur demokracinë, ose krijojnë struktura paralele që nuk i përmbahen normave demokratike,” tha zoti Rutzen.
Sipas zotit Routzen, megjithë disa përmirësime në mbështetjen legjislative për shoqërinë civile, Balkani mbetet prapa rajoneve të tjera të Evropës.
Orysia Lutsevych, e organizatës Chatham House, tha se ka një prirje mosbesimi ndaj elitave dhe institucioneve:
“Fenomeni i nivelit të lartë të korrupsionit në rajon, i kombinuar me segmente të varfërisë ekonomike, dëmtojnë së tepërmi punën e shoqërisë civile në demokratizimin e vendit”, shtoi ajo.
Në raportin e publikuar nga USAID thuhet se Shqipëria vazhdon të vuajë prej nivelit të papunësisë dhe ekonomisë informale. Megjithë përpjekjet disavjeçare për përmirësim të legjislacionit dhe financimit të organizatave jofitimprurëse, Shqipëria radhitet ndër vendet që nuk ka patur rezultat në përmirësimin e përgjithshëm të qëndrueshmërisë së shoqërisë civile. Sektori i shoqërisë civile në Shqipëri rezulton se nuk është i vetërregulluar, dhe organizatave jofitimprurëse u mungon transparenca për operacionet dhe financat e tyre.
/Zëri i Amerikës