Procesi i maturës shtetërore, do të nisë më 3 Qershor me gjuhën e huaj të detyruar, më pas më 10 Qershor do të japin gjuhën shqipe dhe letërsinë, ndërsa provimi i detyruar i matematikës, do të zhvillohet më 17 Qershor. Provimi i fundit i maturës është ai i lëndës me zgjedhje i cili është më 24 Qershor.

Këtyre provime i nënshtrohen rreth 29 mijë maturantë, të shkollave të mesme të përgjithshme dhe ata të shkollave profesionale. Rezultatet e këtyre katër provimeve kanë rëndësi edhe për hyrjen në universitete pasi maturantët fitojnë rreth 50% të pikëve nga notat e tyre.

Provimi me zgjedhje ofron një gamë të gjerë lëndësh, duke përfshirë: Shkencat e Natyrës: Kimi, Fizikë, Biologji, Shkencat Shoqërore: Histori, Gjeografi, Qytetari dhe Psikologji, Filozofi dhe Sociologji si dhe Ekonomia dhe Artet ku janë lëndët Ekonomi, Histori Arti, Histori Muzike dhe Histori Baleti.

Maturantët këtë lëndë e përzgjedhin në varësi të shkollës së lartë që dëshirojnë që të ndjekin dhe ku kanë më shumë njohuri, pasi në varësi të rezultateve të provimeve të maturës ata shpallen edhe fitues në universitete.

Të gjitha provimet ashtu si edhe vitet e mëparshme, zgjasin 2 orë e 30 minuta. Nxënësit paraqiten që në orën 9 në ambientet e provimeve, por ato nisin zyrtarisht në orën 10. Aktualisht në shkollat e vendit janë shpërndarë dhe testet model, që maturantët të kenë mundësinë të përgatiten për provimet përfundimtare.

Klan News