Lajme Arkiva 2003
Shpallet i pavlefshëm procesi i votimit për kryetar bashkie në dy fshatra të Himarës. Anëtarët e KQZ-së kanë vendosur në unanim që në Dhërmi dhe në Pilur të votohet përsëri për zgjedhjet e kryetarit të bashkisë. Në këto dy qendra procesi u zhvillua me incidente, ndërsa kutitë e votimit mbërritën në Komisionin Zgjedhor të Qeverisjes Vendore të shoqëruara nga një anëtar i vetëm komisioni.
Gjatë ditës së sotme KQZ hapi një nga kutitë e votimit, ku u verifikua parregullsi me vulat e kutisë. Përfaqësuesi i PS-së pranë KQZ kërkoi që të administrohen të gjitha kutitë e votimit, me pretendimin se asnjëra prej tyre nuk përmban 5 vulat e duhura, por vetëm 3 prej tyre. Ky propozim, nuk morri votat e duhura.
Ndërsa në unanim KQZ vendosi që në 16 Nëntor të përsëritet procesi i votimit për kryetar bashkie në Himarë vetëm në Dhërmi dhe Pilur dhe u votua kundër përsëritjes së votimit në Himarë Fshat.
Dhërmiu dhe Piluri kanë gjithsej 984 votues, ndërsa diferenca mes dy kandidatëve për kryetar bashkie, deri më tani është 500 vota në favor të Vasil Bollanos, kandidat i PBDNJ-së./tvklan.al