Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” për Ergis Nokën, Drin Vjerdha, Kristofor Pandelejmoni e Mario Çerra.

Ata ranë në pranga disa ditë më parë për shpërndarje të lëndës narkotike sintetike, kryesisht ekstazi, të cilën e shisnin në lokalet e natës në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet.

Ergis Noka punonte si gazetar në një portal lajmesh dhe bashkë me tre shokët e tjerë kishin marrë një zyrë me qira në zonën e ish-Bllokut, të cilën e kishin kthyer në bazë për shpërndarjen e dozave të drogës.

Gjatë kontrollit në zyrat e portalit janë gjetur dhe pajisje që përdoren për kultivim kanabisi. Në total u sekuestruan 300 doza ekstazi që dyshohet se i siguronin përmes Kosovës dhe Serbisë. Kjo lloj droge shitej 1 mijë Lekë më shumicë, kurse 1 tabletë e vetme kushtonte 3 mijë Lekë.

Policia ra në gjurmët e tyre nëpërmjet metodave speciale si blerje të simuluara nga agjentët dhe vëzhgimeve në terren.

Klan News