Shqipëria nisi zyrtarisht në Luksemburg negociatat faktike për kapitujt e anëtarësimit me ato për çështjet themelore. Nota entuziazmi erdhën nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë Péter Szijjártó që shpreson në hapjen e një tjetër grup kapitull atë për marrëdhëniet me jashtë.
“Nëse gjithsecili bën punën e vet në mënyrë të drejtë e të duhur përpara fundit të ketij viti mund të hapet edhe një tjetër grup kapitujsh me Shqipërinë, ai që ka të bëjë me marrëdhëniet me jashtë. Është e qartë që Shqipëria është gati. Shpresoj që të gjitha detyrat burokratike të bëhen në Bruksel dhe të mundemi të ulemi për një tjetër konferencë ndërqeveritare para mbylljes së mandatit të presidences hungareze.”
Hungaria ofroi 50 bursa trajnimi për ekspertët shqiptarë te negociatave. Szijjártó vlerësoi klimën e biznesit për investimet hungareze në vendin tonë. Ai doli kundër heqjes së votës me unanimitet ndërsa akuzoi disa nga shtetet anëtare për hipokrizi në qëndrimet gjoja në mbështetje të shteteve ballkanike.
Kryeministri Rama e konsideroi të turpshme faktin që për dhjetë vite rradhazi që nga marrja e statusit kandidat në vitin 2014 shtetet anëtare refuzuan propozimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave. Ai veçoi si arritje bindëse ndëshkimin e zyrtarëve të lartë për akte korruptive edhe pse një pjesë e tyre janë nga rradhët e socialistëve.
“Po bëjmë përpjekje për të forcuar arritjet e deritanishme në reformën ne drejtësi duke synuar një sistem gjyqësor më transparent dhe më llogaridhënës. Për herë të parë në historinë tonë që kur Shqipëria u bë shtet sovran në 1912, po shohim hetime të profilit të lartë politik që akuzohen apo dënohen përpara një gjykate të pavarur pavarësisht lidhjeve të tyre me partinë në pushtet. Do ta bëjmë këtë edhe duke luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në çdo nivel, për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë dhe për të merituar uljen e vendit tonë në tryezën e BE-së.”
Kryeministri riktheksoi faktin se vendi ynë nuk ka plan alternative B veç atij të anëtarësimit në BE.
“Ne shqiptarët nuk mund të kemi një plan B kur vjen fjala për liritë individuale, sundimin e ligjit dhe demokracinë funksionale. Historia na ka mësuar në mënyrën më të vështirë se kjo nuk mund të gjendet dhe madje as të garantohet jashtë sferës së BE-së. Këto janë A-ja, B-ja dhe C-ja e mënyrës së jetesës europiane. Zgjedhja e një alternative ndaj anëtarësimit të plotë në BE do të ishte të hiqje dorë nga mënyra e jetesës që më së fundi zgjodhëm pasi duruam epoka errësire nën perandori dhe regjime që na u imponuan në historinë tonë.”
Komisioneri në largim për zgjerimin e BE-së Oliver Varhelyi rikujtoi pengesat drejt negociatave dhe këmbënguljen e kryeministrit Rama.
“Tani kam besim se do të mund të shohim kohën kur kryeministri Rama të japë propozimin e tij për komisionerin në BE. Rama në fillim më shihte me një nivel modest pikëpyetje nëse kjo do të ishte e mundur, dhe kjo është e mundur sepse qeveria shqiptare mori një qasje të re, që përfshin të mos druhet të bëjë gjithçka që është e nevojshme në terren. Në 2020 kishin probleme të krimit, korrupsioni dhe sistemit gjyqësor dhe ne vërtet u futëm shumë thellë me kryeministrin dhe ai tani ka ndërtuar besimin tek shtetet anëtare tullë pas tulle dhe ky ishte një element thelbësor në këtë sukses të arritur sot.”
Kjo e martë shënoi edhe ndarjen e Shqipërise nga Maqedonia e Veriut me objektiv anëtarësimin deri në vitin 2030.
Klan News