Përmirësohen treguesit mjedisor në vendin tonë. Ky është konkluzioni i nxjerrë nëpërmjet raportit të monitorimit Indeksi i Performancës Mjedisore për vitin 2010 i përpiluar nga ekspertët të universitetit Jeil dhe Kolumbias në SHBA. Ne raportin paraprak të paraqitur në Forumin Ekonomik Botëror Davos, në bazë të vlerësimeve nga 163 shtete, Shqipëria renditet e 23-ta në botë me 71.4 pikë nga 100 të mundshme. Krahasuar me dy vite më parë jemi renditur dy vende më lartë.

Me këto të dhëna vendi ynë le pas të gjitha vendet e rajonit. Maqedonia në vendin e 73, Kroacia në vendin e 35, Serbia dhe Mali i Zi të 29, Sllovenia në vendin e 55, Bullgaria në të 65-in dhe Bosnjë Hercegovina në vendin e 98. Në nivel europian nga 43 shtete, vendi ynë renditet i 16, duke lënë pas jo vetëm fqinjët por dhe vendet si Spanja, Holanda, Greqia,Irlanda, Belgjika etej.

Ndërkaq në  Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore renditemi të parët. Indeksi i vendit përpilohet sipas dhjetë kategorive që janë, ndotja e ajrit, shumëllojshmëria biologjike dhe ndryshmet klimatike, ulja e emetimeve të gazit në atmosferë etj, si dhe sipas 25 performancave që gjenden në mjedisin jetësor në vend, e krahasojnë me qëllimet e vendosura të bazuara kryesisht në marrëveshjet ndërkombëtare.

Në majë të listës si vende ekologjikisht më të shëndosha dhe të cilësuara si vende të gjelbërta janë Islanda, Zvicra, Kostrarika, Suedia dhe Norvegjia, ndërsa rezultatet më të ulëta i takojnë Republikës Qendrore Afrikane dhe Sierra Leones.

 Në këtë raport paraprak  SHBA kanë shënuar një rënie me 22 vende krahasuar me dy vjet më parë, në një kohë që Kanadaja dhe Kina kanë rënë përkatësisht me 44 dhe 16 vende. Raporti final për performancat ekologjike të vendeve për këtë vit do të publikohet më 12 shkurt./tvklan.al