Në mbrëmjen e sotme Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë të kualifikueseve të botërorit, atë kundër Hungarisë. Në radhët e kuqezinjve ka vetëm një të dëmtuar që është Hamdi Salihi. Edhe pse do të jetë ndeshje e vështirë, futbollistët dhe trajneri i kombëtares janë optimist se do të dalin me pik nga stadiumi “Ferenc Puskas”, ndoshta kanë deklaruar ata mund të bëjnë edhe surprizën.
Bindjen se mund të bëjnë diçka, trajneri Arie Haan, e ka mbështetur tek moduli i 4-4-2 me Beqajn në portë në mbrojtje Vangjeli, Curri, Beqiri dhe Dallku në mesfushë Agolli, Cana, Lala dhe Duro. Skela dhe Bogdani do të sulmojnë portën hungareze.
Kjo është hera e 4 që ndeshemi me këtë kombëtare, më 20 gushtë të 1947 kemi humbur 3-0, më 23 maj të ’48 kemi barazuar 0-0, ndërsa më 24 shtator të 1950 kemi pësuar humbjen më të thellë në historinë tonë 12-0.
Kësaj radhe nuk është e njëjta Hungari dhe ne nuk shkojmë për të marrë hak por përsëri agjencitë ndërkombëtare të basteve nuk na llogarisin fitues. Shqipëria në “Ferenc Puskas” do të përpiqet të marrë pikë për të ruajtur një pozicion të mirë në renditjen e grupit. Do t’ja arrij apo jo, do ta mësojmë në 19:45 të mbrëmjes në transmetimin e super sport./tvklan.al
Gazetari: Erion Todhe
Montazh: Renis Zela