Pas ratifikimit te Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Shqipëria po përballet me një tjetër moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e saj të vendosura me Bashkimin Europian. Çështje të rëndësishme siç është; lufta kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, ajo për liberalizimin e vizave, si dhe ato ekonomike e rajonale kanë ulur në të parin takim pas nënshkrimit të MSA-së me 1 Prill, përfaqësues të Brukselit dhe delegacionin shqiptar të kryesuar nga shefi i diplomacisë Lulzim Basha.
Në një lidhje telefonike vete numri një i Ministrisë së Jashtme konfirmoi se ky takim do t’i paraprije hapave të tjerë te rëndësishëm që do t’a çojnë vendin drejt integrimit të plotë në familjen evropiane.
Lulzim Basha: “Jemi në një moment shumë të rëndësishëm ku marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian janë në stadin e tyre më të lartë historik. Në një stad i cili do t’i paraprijë edhe hapave të tjerë të rëndësishëm që do të çojnë drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE. Ne do të diskutojmë gjatë këtij takimi me të gjithë çështjet që kanë të bëjnë me aplikimin le të themi, me implementimin, me zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetme të stabilizim asocimit, me përparimin e Shqipërisë në reformat kyç, siç janë ato të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Mbi përparimin e Shqipërisë në të tjera fusha, siç janë ato që kanë të bëjnë me hartën e rrugës për liberalizimin e vizave. Mbi çështjet ekonomike, financiare, por dhe mbi çështjet rajonale, ku Shqipëria vazhdon të vlerësohet si një shtyllë e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.”
Po kështu, në këtë lidhje telefonike, ministri Basha komentoi edhe një deklaratë të Partisë Socialiste, e cila duke pretenduar se i referohet një projekt-raporti të Komisionit Europian, ka akuzuar qeverinë, se po ua mohon shansin shqiptareve që të lëvizin të lirë, pa viza në vendet e BE-së.
Lulzim Basha: “Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë deklaratë ashtu siç nuk kishte asgjë të vërtetë në deklaratën e bërë gjysmë ore para ftesës së Shqipërisë për NATO, se gjoja Shqipëria nuk do ta merrte ftesën apo deklaratave të bëra se Shqipëria rrezikon anëtarësimin e plotë në NATO apo deklaratave se Shqipëria nuk do të aplikojë si kandidat në BE sepse nuk mirëpritet. Edhe kjo deklaratë është në këtë vazhdë deklaratash. Shpreh keqardhjen në rast të tillë, kuptohet se është shumë afër fushatës elektorale. Megjithatë për një çështje kaq të rëndësishme siç është lëvizja e qytetarëve nga e cila përfitojnë të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike nuk do të ketë spekulime qesharake. Shqipëria është në rrugë të mbarë për plotësimin e kritereve dhe ne shprehim besim të plotë nga diskutimet që kemi bërë dhe nga ato që presim të bëjmë sot se ne do të vazhdojmë, do të realizojmë këtë kërkesë madhore, këtë synim madhor t qeverisë Berisha. Lëvizjet e lirë të qytetarëve shqiptar, pa viza në zonën Shengen.” /tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro