Qindra shqiptarë nga Lugina e Preshevës marshuan kundër diskriminimit dhe në kërkim të barazisë dhe të drejtave të tyre në Serbi.

Të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”, marshuesit kaluan nëpër qendrën e qytetit të Preshevës pranë institucioneve duke mbajtur pankarta me thirrjet: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip” dhe “Kthema adresën”.

Marshuesit, të cilëve u prinë përfaqësuesi i vetëm deputet shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Siani, u ndalën pranë ndërtesës së Komunës, ku u këndua himni kombëtar.

Kjo është protesta e dytë e shqiptarëve të Luginës në dy muajt e fundit, pas asaj në Bujanoc në Gusht. Serbia e ka mohuar vazhdimisht se shqiptarët në këtë vend janë të diskriminuar.

Klan News