Qeveria u jep mundësi qytetarëve deri në Shtator 2021
Qeveria ka vendosur të shtyjë deri në Shtator të vitit të ardhshëm afatin për rivlerësimin e pasurisë.
Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën ndryshimet në ligjin e rivlerësimit të pasurive të patundshme, duke i dhënë mundësi qytetarëve që të përfitojnë nga kjo nisëm pavarësisht pandemisë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Kadastrës, numri i aplikimeve këtë herë arrinte në total 55 mijë, më i ulët se në vitet e tjera kur është marrë nisma e rivlerësimit të pronës.
Reduktimi në disa raste i personelit administrativ të kadastrës për shkak të pandemisë ka shtuar kohën për të marrë në dorë rivlerësimin, ndërsa nga ana tjetër edhe interesi i qytetarëve dhe bizneseve ishte më i ulët për shkak të situatës që solli këtë vit pandemia.
Nga 55 mijë aplikime, vetëm 27 mijë kanë arritur të paguajnë tarifën, ndërsa 28 mijë të tjera janë ende në proces.
Rivlerësimi u jep mundësi qytetarëve dhe bizneseve që të bëjnë sot vlerësim të pasurisë të tyre me vlerën e tregut ose të çmimit fiskal të pronës e të paguajnë 3% të diferencës mes çmimit të blerjes me atë të tregut, në mënyrë që të shmangin taksën 15% në të ardhmen.
Tv Klan