Shpresat për gjetjen e avionit që u rrëzua në Atlantik, Air France 447 sa vijnë e zbehen. Presidenti francez Nikolas Sarkozy u shprehu ngushëllimet familjarëve të 228 pasagjerëve, të cilëve ai iu referua si viktimat e këtij aksidenti tragjik.

Në bordin e avionit ndodheshin e dhe 7 fëmijë e 1 foshnje. Me qindra familjarë e të afërm vazhdojnë të qëndrojnë në ankth në aeroportin e Rio de Zhaneiro në pritje të lajmeve për të afërmit e tyre. Po kështu, edhe në aeroportin Sharl De Gol te Parisit, ku një alarm për bombë e rëndoi situatën.

Edhe pse nuk ka një deklaratë zyrtare lidhur me shkaqet e rrëzimit të avionit, mediat e huaja raportojnë se ai mund të ketë rene në oqean pasi është goditur nga një rrufe.

Në mesazhin e fundit të dërguar rreth orës 20:30 minuta të ditës së djeshme, ekuipazhi kishte raportuar se kishte një humbje të madhe të trysnisë së ajrit. Kjo tragjedi është më e rëndë se ajo e vitit  1962 ku rrëzimi i një avioni Boing 707, i po kësaj kompanie shkaktoi vdekjen e 113 personave.

Autoritetet flasin për një katastrofe me humbje te mëdha njerëzore. Kërkimet vijojnë prej momenteve të para të zhdukjes së avionit, por ai ende nuk është lokalizuar./tvklan.al

Gazetare: Bora Sadriaj