13 janari është dita e themelimit të Policisë së Shtetit, duke shënuar kështu 111 vjetorin e krijimit. Prandaj, në emisionin e sotëm të “Aldo Morning Show” në Tv Klan, kemi të ftuar Bajram Yzeiraj, ish-ministrin e Rendit Publik në Qeverinë e Stabilitetit, në vitin 1991.

Yzeiraj u shpreh se nga koha kur ai ka qenë ministër e deri në ditët e sotme, sistemi i policisë ka pësuar ndryshime të mëdha. Sipas tij, vlerat dhe cilësitë që duhet të ketë një punonjës policie, janë tronditur.


Aldo: Dua të bëj një krahasim. Ju keni qenë vetë ministër Rendi për disa kohë, në Qeverinë e Stabilitetit. Flasim për vitet ’91. ’91-2024, ku ishit, ku jemi? Kjo do analizë, e kuptoj.

Bajram Yzeiraj: Unë mund të them një sintezë, që ndryshimet e policisë, nga ’91-’92, që u ndryshua sistemi, dhe deri në ditët e sotme, janë të mëdha. Do të thotë, ajo është e ndërtuar mbi bazën e parimeve të policimit perëndimor, është e formatuar nga ana organizative, problemi qëndron tek vlerat dhe tek procedurat. Ç’do të thotë vlerat? Do të thotë, janë tronditur cilësitë që duhet të ketë ky punonjës, që punon nëpër këto struktura…

Aldo: Jo vetëm në polici kjo, në çdo degë.

Bajram Yzeiraj: Në mënyrë të veçantë në polici, sepse integriteti moral, ndershmëria, që të mos e shesësh ligjin, detyrën, shokun, kolegët. Të gjitha punët e policisë bëhen në grup, bëhen në skuadër, në mënyrë kolektive. Njëri një proces, tjetri një proces dhe në fund fare del produkti, parandalim ose zbulim. Prandaj duhet të kthehen tek këto vlera, sepse vlerat janë tronditur, cilësitë janë tronditur dhe është krijuar një farë pasigurie brenda radhëve të policisë dhe punonjësit, mbyllin gojën e heshtin.

Aldo: “Ç’po më duhet mua?”, thonë.

Bajram Yzeiraj: Po, dhe me pasivitet, me indiferentizëm, nuk shkruajnë, nuk e raportojnë atë që kanë mësuar për krimin apo individin. Kjo është një e keqe sepse fshihet.  

Aldo: Pse mos ta thuash edhe këtë tjetrën: edhe nga frika.

Bajram Yzeiraj: Doemos, aty brenda janë të gjitha. Kam parë kolegë që e kanë pësuar, në një mënyrë ose në një tjetër. /tvklan.al