Flet një nga të dyshuarit e masakrës: Qëllova për para
Moska është në shok pas sulmit terrorist ndërsa autoritetet po përpiqen të zbardhin të gjithë dinamikën e masakrës. Që të shtunën pati deklarata, ku u bë e qartë, se autoritetet ruse po përpiqeshin t’ia hidhnin Ukrainës përgjegjësinë për atentatin në sallën e koncerteve.
Zyrtarë të lartë rusë akuzuan shpejt Ukrainën, pavarësisht mungesës së ndonjë prove dhe faktit që “Shteti Islamik” mori përgjegjësinë. “
Sipas gjermanes “Tagesschau” është pikërisht lufta e Rusisë kundër Ukrainës e cila ka bërë që të lihen jashtë vëmendjes rreziqe të tjera. Media gjermane analizon, se ka të dhëna që të lënë të kuptosh, se në rrethin e pushtetit të Putinit të fokusuar tek lufta kundër Ukrainës dhe shtypja e opozitës ka humbur fokusi i terroristëve islamistë.
Teksa presidenti rus akuzoi për përfshirjen e Kievit në sulm ai theksoi se të dyshuarit e kësaj masakre po përpiqeshin të iknin në Ukrainë. Kievi i cilësoi si “absurde” akuzat ndërsa mbetet i shqetësuar se Kremlini do ta përdorë sulmin për të përshkallëzuar luftën.
Një nga të arrestuarit e masakrës ka rrëfyer para drejtësisë se i ishte premtuar një shpërblim financiar.
“Unë qëllova njerëz për para. Më premtuan rreth 500,000 rubla.” I arrestuari shtoi se gjysma e parave i kishte kaluar në bankë, ndërsa gjysmën tjetër i ishte premtuar se do ta merrte më vonë.
Agjentët e inteligjencës amerikane e dinin se dega e grupit terrorist në Afganistan po planifikonte një sulm në Moskë, duke e ndarë këtë informacion me zyrtarët rusë. Por, Presidenti Vladimir Putin i shpërfilli informacionet, duke i cilësuar ato si provokuese.
Disa komentues në mediat sociale ruse vunë në pikëpyetje sesi autoritetet, të cilat kanë shtypur pamëshirshëm çdo aktivitet opozitar dhe kanë penguar mediat e pavarura, nuk arritën të parandalonin sulmin pavarësisht paralajmërimeve të SHBA.
Klan News