Vetëm pak vite pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri, shumë ndërmarrje shtetërore u mbyllën, ndërsa një pjesë e tyre u privatizuan. Menjëherë pas fillimit të mbylljes së këtyre ndërmarrjeve qeveria nxori një vendim të posaçëm për dorëzimin e dokumentacionit të vjetërisë në punë, në arkivat vendor, por edhe pse kanë kaluar 18 vjet, rreth 70 ndërmarrje që funksiononin në kohën e diktaturës, ende nuk i kanë dorëzuar këto regjistra, duke humbur kështu vitet e punës për qindra shtetas shqiptarë.
Ali Emini: “Gjatë viteve 92-93, por dhe 97-ën, ka disa ndërmarrje shtetërore apo kooperativa bujqësore dokumente e të cilave janë dëmtuar ose janë djegur. Nuk mund të themi se ka pasur veprime me dashje apo pa dashje, por ajo që konstatojmë sot është që ka të djegura, ka ndërhyrje dhe në regjistrat.”
Të gjendur përballë kërkesës së qytetarëve për gjetjen e viteve të punës që ata kanë në këto ndërmarrje, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ka kërkuar që vetë këta shtetas të dorëzojnë dokumentet që kanë.
Ali Emini: “Të cilat natyrisht duhet t’i ruajnë, të jenë sa më të sakta dhe autentike. Nga ana jonë po veprohet edhe nëpërmjet kallëzimeve penale që personat që mbajnë dokumentet në mënyrë të padrejtë t’i sjellin te Sigurimet Shoqërore.”
Mungesa e këtyre regjistrave, është vërtet një problem serioz edhe për ISSH, e cila po krijoj arkivin qendror ku do të dokumentohen dokumentet e vjetërsisë së punës të të gjithë shqiptarëve./tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami