Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, foli për Tv Klan, pas fitores minimale ndaj Gjeorgjisë. Tekniku kuqezi deklaroi se ishte një ndeshje e mirë, edhe për shkak të ndryshimeve të bëra.
Silvinjo zbuloi se për këtë ndeshje, mori komplimente nga trajneri kundërshtar, Willy Sagnol.
“Ka qenë një ndeshje shumë e mirë. Kishim shumë lojtarë që janë kthyer me skuadrën. Ajeti, Balliu dhe Tuci kanë bërë mirë. I gjithë grupi është i vështirë. Pikët mund të shpërndahen. Ka qenë transfertë e vështirë.
Gjeorgjia është një ekip shumë i fortë në shtëpi. Kanë mesfushë të fortë dhe prandaj bëmë disa ndryshime. Këto ndryshime kanë bërë përmirësimin në lojë. Duke iu përshtatur edhe Gjeorgjisë për atë që tregoi.
Kishim një lloj ndryshimi, sepse kur e pamë që ishin me katër mbrojtës, folëm me ekipin. Ata kanë humbur një lojtar të rëndësishëm i cili na shënoi në Tiranë. I bëra komplimente trajnerit të Gjeorgjisë, ashtu si edhe ai mua.
Është një skuadër e fortë dhe e organizuar shumë mirë. Kishim një mundësi tjetër me Bajramin. Ndaj Çekisë kishim një rast me Asanin, por i tillë është futbolli. Kur ke raste, është mirë që të shfrytëzosh rastet.”, deklaroi Silvinjo.
/tvklan.al