Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës me Ukrainën, në Ligën e Kombeve. Referuar problemeve me dëmtimet, tekniku kuqezi, deklaroi se është një moment delikat.
Silvinjo u shpreh se Arbër Hoxha është lojtar i rëndësishëm, por nuk zbuloi nëse do të jetë titullar apo jo.
“Është një moment delikat. Lojtarët pas Europianit nuk kishin mundësi për shumë pushime. Duhet të punojmë me këtë situatë. Edhe në Varshavë kishim një situatë të ngjashme. Është një mundësi e mirë që lojtarë të tjerë të jenë pjesë e formacionit.
Të gjithë lojtarët janë gati. Ne sot kemi një stërvitje. Nuk ka nisur ende Arbër Hoxha ndonjë ndeshje nga minuta e parë, por e kemi ndjekur nga marsi. Aty nisi udhëtimi i tij në Kombëtare. Është shumë i rëndësishëm për ekipin, por të shohim.“, tha timonieri kuqezi.
Silvinjo e quajti si një grup shumë të vështirë atë të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, për shkak se të gjitha kombëtaret kanë luajtur në Europianin e verës.
“Është një grup i vështirë ky në Ligën e Kombeve. Të katërta ekipet kanë qenë në Europian. Trajneri i Ukrainës është shumë i zoti, e organizon shumë mirë skuadrën. Ne duhet të përballemi me të gjitha situatat. Ne i ndjekim lojtarët tanë. Ka qenë një moment i vështirë, pasi pas Europianit, ka pasur pak pushime dhe lojtarët kishin presionin e merkatos. Jemi të lumtur për lëvizjet e lojtarëve në merkato. ”, deklaroi trajneri Silvinjo.
Në Ligën e Kombeve, Shqipëria është pjesë e Grupit B1, me kundërshtarë si Ukraina, Gjeorgjia dhe Çekia.
/tvklan.al