Posterat dhe simbolet partiake po kthehen në piken më të nxehtë të kësaj fushate të qetë elektorale. Vendosja apo heqja e tyre në mënyrë selektive nga persona, institucione, apo firma të autorizuara për kontrollin e mënyrës se vendosjes nëpër zona të caktuara, po konsiderohet nga disa subjekte politike si provokim i kundërshtareve.

Luzhjana Abazi: “Punonjës të bashkisë së Tiranës kanë hequr banerat e subjektit të LSI-së. Jam këtu për t’i rikujtuar kryebashkiakut të Tiranës të zbatojë udhëzimin nr 14 të KQZ-së, i cili harton dhe administron fushatën elektorale për gjithë Shqipërinë. Në këtë udhëzim thuhet që kryetarët e njësive vendore lejojnë subjektet elektorale për të vendosur banesat apo posterat në vende publike, kuptohet me një leje nga ana jonë. Të gjitha subjektet elektorale kanë ardhur, kemi kthyer përgjigje për të vënë banesat, kemi caktuar edhe pozicionin ku ato të vihen. Nuk e kuptoj çfarë ka kryebashkiaku i Tiranës i cili ndërhyn në mënyrë të dhunshme dhe heq banerat e partisë. Ndërkohë që siç e shikoni mbas meje është një kioskë e tërë, po ashtu është edhe një çadër që gjendet para zyrave të njësisë vendore dhe nuk e di ku e ka leje dhe se si funksionon kryebashkiaku i Tiranës”. 

Kështu ndodh edhe në rrethe të ndryshme të vendit, por më shqetësuese situata duket në Tirane, aty ku dhe gara duket më e fortë për kundërshtarët. Në zona të ndryshme të kryeqytetit panorama që të ofrohet nuk është e njëjtë nga dita në ditë. Brenda 24 orësh të njëjtin shesh e sheh të mbuluar nga flamuj e billborde e më pas të zhveshur prej tyre.

Konfliktet e nisura mbi këtë proces kulmuan me vrasjen e një aktivisti 25-vjeçar të PD-së në Sukth nga një simpatizant 45-vjeçar i PS-së. Dhe kjo që po ndodh së fundmi në Tiranë shpresojmë të mos jetë kronika e paralajmëruar e një ngjarjeje me përmasa të tilla si ajo e Sukthit./tvklan.al