Kryeministri Sali Berisha ka patur një tur të ngjeshur takimesh nga jugu në veri të vendit. Ditën e diel, Peshkopia Bulqiza dhe Klosi ishin disa prej ndalesave shoqëruar me një seri inaugurimesh  të rëndësishme  ndër to segmenti i parë i rrugës së Arbrit. Pasditja e së dielës e ka gjetur kryeministrin në Krujë edhe në Fushë Krujë, si dhe në takime të veçanta me banorë të njësive bashkiake nr. 8, 9 dhe 10 në Tiranë.

Përfundon segmenti i parë i rrugës së Arbrit

Në Peshkopi kryeministri falënderoi qytetarët me mirënjohje për përpjekjet e përbashkëta që anëtarësuan vendin në NATO nxorën të paktën 400 mijë shqiptarë nga varfëria si dhe bënë të mundur ndërtimin e korridorit rrugor të kombit Durrës-Prishtinë. Banorëve kryeministri u dha lajmin e inaugurimit të segmentin të parë në rrugës së Arbrit  që shkurton ndjeshëm lidhjen rrugore me kryeqytetin.

Sali Berisha: “Autostrada Maqellar-Peshkopi është … dhe do të ndërtohet. Diga Selishtë-Burrel, e tëra është në projekt dhe u garantoj ju gjatë mandatit të dytë do të përdoret për … sikundër do të lidhi Peshkopinë me Librazhdin dhe në këtë mënyrë ne do të kompletojmë rrugën e gjatë të këtij kombi, unazën që fillon në Tropojë dhe përfundon në Delvinë.”

Investimi në katër vite i demokratëve për Peshkopinë llogaritet të jetë 37 herë më shumë se sa gjatë 8 viteve të qeverisjes të socialistëve. Berisha u tha banorëve se mandati i ri parashikon të tjera projekte të rëndësishme për zbatim.

Sali Berisha: “Do ndërtojmë të gjithë ujësjellësit të cilët garantojnë për ju ujë 24 orë. Peshkopia do ketë universitetin e saj.”

Qeveria demokratike do të zbatojë një projekt të posaçëm për zonën verilindore për zhvillimin e bujqësisë.

Sali Berisha: “Zona verilindore  e vendit do të ketë një program të veçantë për financimin dhe heqjen e të gjitha kufizimeve në kulturat më fitimprurëse për to. Në këtë qark janë të parashikuara mbi 20 hidrocentrale, ndër të cilat hidrocentrali i Skavicës.”

 Si në çdo takim me qytetarët në shesh kryeministri nuk harroi edhe në Peshkopi tu bëjë thirrje shqiptarëve me bindje të djathta e të majta politike të votojnë projektin evropian për Shqipërinë.  Kryetari i qeverisë tha se ky është projekti më i mirë për vendin që do ta bëjë realitetet anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda mandatit që vjen.

Sali Berisha: “Të gjithë së bashku komandojmë jetën, jeta jeni ju, jeta është Peshkopia, jeta është Shqipëria blu.”

Takimi me qytetarë në Peshkopi  u parapri nga ceremonia që shënoi përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e Pallatit të Sportit të lojërave me dorë, një investim prej rreth 70 milion lekësh, financim i qeverisë shqiptare me atë holandeze. Kryeministri Berisha inauguroi gjithashtu Konviktin e  shkollës pedagogjike të Peshkopisë, investim me vlerë 50 milion lekë si dhe një prej rrugëve të këtij qyteti.

Ashtu siç dhe paralajmëroi kryetari i qeverise preu shiritin për inaugurimin e  përfundimin të punimeve  për segmentin e parë të rrugës së Arbrit me gjatësi 20 kilometra. Kryeministri tha se kjo rrugë e parametrave tërësisht evropiane. Kryetari i qeverisë e cilësoi si korridorin e dytë më të rëndësishëm për vendin pas Durrës-Prishtinë, që do të shkurtojë me 50% distancën me Tiranën, duke i dhënë mundësi të reja zhvillimit të kësaj zone.

Bulqiza pasoi takimin me qytetarë.

Sali Berisha: “Këtu në katër viteve sapo inauguruam segmentin. Në datën 15 u shpall tenderi për segmentin tjetër Bulqizë-Klos dhe unë ju garantoj se brenda vitit do të nisë edhe Klos-Tiranë, Tiranë-Klos…”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi