I pyetur për arrestimet në krahun e socialistëve, kryeministri Edi Rama përsëriti sonte në “Opinion” se nuk ndjen asnjë lloj përgjegjësie për këdo që shkel ligjin dhe vjedh pasuritë e përbashkëta. Ai tha se reforma në drejtësi që u udhëhoq nga Partia Socialiste po jep “frytet” e saj si asnjëherë më parë në historinë e këtij vendi.

“Përgjegjësia morale e imja është vetëm një, të bëj gjithçka kam në dorë që ky vend të bëhet me drejtësi. Pushteti politik të tërhiqet nga çdo drejtim me drejtësinë. Ka një fakt, që është shumë kokëfortë që nga viti 1912 kur është ngritur flamuri. Deri kur reforma në drejtësi, që e udhëhoqëm ne Partia Socialiste, jo edhe LSI-ja. Erdhi pastaj mbrapa për arsye që i kemi diskutuar. E udhëhoqëm ne, e futëm ne në program në vitin 2013. Që kur ka filluar të zbatohet, persona të lidhur me pushtetin politik janë të marrë nën hetim, ka të akuzuar, prapa hekurave. Nuk ka ndodhur kjo ndonjëherë!”

Për Strukturën e Posaçme AntiKorrupsion u shpreh se po “godet” kudo pa asnjë lloj dallimi politik.

“Kemi krijuar një mitraloz të pavarur që godet majtas, djathtas, afër meje, larg meje…”

E teksa gazetari Blendi Fevziu i kujtoi se deputetja Monika Kryemadhi e ka cilësuar kryeministrin “peshku i madh”, Rama tha:

Po te unë për çfarë?! Për cilat çështje? Unë jam peshku më i madh nga të gjithë se jam dy metra. Po problemi nuk është sa metra është peshku, por cilido ka futur duart në pasuritë e përbashkëta dhe ka përfituar në mënyrë të paligjshme. Dhe unë nga këto nuk kam. Jam informuar që i vogël se kur shkon në anën tjetër, je lakuriq përballë atij që të del atje. Nuk të duhet as kesh-i, as pasuria. Ndërkohë që mbrapa lë emrin. Unë luftoj për emrin. Këta sharlatanë që flasin për luksin tim, sarajet e mia…Unë s’kam vetëm shpjegime, unë kam fakte dhe kam letra.

/tvklan.al