Partia Socialiste ka vijuar turin paraelektoral nëpër Shqipëri dhe Kryetarja e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj është ndalur në Labinot Mal të Elbasanit. E shoqëruar nga deputeti Ndriçim Hysa, zonja Leskaj ka thënë, se program socialistëve është i ndërtuar nga vetë njerëzit.
Valentina Leskaj: “Kemi bërë një program dinjitoz për shqiptarët, një program i cili ka përfillur çdo shqiptar, se ka marrë mendimin e çdo shqiptari për hallet që ka, një program i cili ka marrë mendimet e shqiptarëve se si mund të zgjidhen problemet.”
Në Viqthkuq për socialistët ka qenë deputetët, Ben Blushi e Alfred Dalipi dhe nënsekretari për Koordinimin, Arben Ahmetaj. Në këtë takim ata kanë thënë se pika kryesore në programin e tyre është lufta për varfërinë dhe kjo arrihet vetëm me largimin e Sali Berishës nga pushteti.
Ben Blushi: “Ne nuk mund të rritemi, të bëhemi burra dhe të plakemi me Sali Berishën sepse u bë 20 vjet që turbullon jetën tonë, u bë 20 vjet që qoftë në pushtet qoftë në opozitë e turbullon Shqipërinë nuk i jep asgjë dhe gjithmonë ikën duke bërë dëm dhe në nuk do ta lejojmë më të na bëjë dëm.”/tvklan.al