Ambasada Amerikane në Tiranë ka pranuar financimin e anketimit “PULS” të Qendrës për kërkim dhe Zhvillim si dhe të Institutit për Studime Publike e Ligjore, që rendit si forcë të parë politike në zgjedhjet e 28 qershorit, partinë Demokratike me 9 % më shumë se Partia Socialiste.
Ka qenë vetë ambasadori John Withers i cili e ka pranuar një fakt të tillë gjatë prezantimit të një tjetër projekti të financuar po nga ambasada e Shteteve të Bashkuara që ka të bëjë me koalicionin e Vëzhguesve Vendore që do të monitorojnë zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
John Withers: “Qeveria e Shteteve të Bashkuara ofron burime financiare për mbajtjen e një sërë aktivitetesh, më qëllim rritjen e kapaciteteve demokratike të Shqipërisë dhe mbështetja që i kemi dhënë kësaj ndërmarrje të vëzhgimit të zgjedhjeve është një shembull i kësaj ndihme dhe ky sondazh është dhe një tjetër shembull i kësaj ndihme.”
Me tej ambasadori Withers sqaroi, ashtu siç thuhet ne Websiten e sondazhit, se rezultatet e tij nuk janë përfundime të qeverisë amerikane.
John Withers: “Qeveria e SHBA-ve ofroi burimet financiare për të mundësuar mbajtjen e një sondazhi shqiptar, jo të një sondazhi amerikan, jo të një raporti amerikan dhe jo të përfundimeve amerikane. Pra më lejoni të shprehem në mënyrën më të qartë të mundshme, qeveria e SHBA-ve është e interesuar vetëm në një sondazh dhe është sondazhi që do të mbahet në datën 28 qershor të këtij viti dhe ata që do ta bëjnë këtë sondazh do të jenë qytetarët shqiptar dhe në vështrimin tim ky është dhe i vetmi sondazh që ka rëndësi.”
Gjatë prezantimit të projektit të vëzhguesve, ambasadori Withers u bëri sërish thirrje shtetasve shqiptarë që të pajisen me karta identiteti, duke e cilësuar tepër të rëndësishëm mbajtjen e zgjedhjeve më 28 qershor.
Në lidhje me sondazhin e publikuar në media ka reaguar dhe ambasada britanike e cila sqaron se ky sondazh përfaqëson një pasqyrë të opinionit publik, ku regjistron pikëpamjet e një pjese të përzgjedhur të votuesve shqiptarë në këtë moment të veçantë paraelektoral.
Sipas ambasadës Britanike ky sondazh është një kontribut ndaj një debati të shëndetshëm politik në Shqipëri. Më tej në qëndrimin e saj ambasada Britanike sqaron se përmbajtjet e sondazhit janë përgjegjësi e vetme e Qendrës Kombëtare për Zhvillim dhe Institutit për Studime Publike e Ligjore të mbështetura nga ana teknike nga D 3 Systems.
Jo domosdoshmërisht këto sondazhe përfundon deklarata e ambasadës Britanike reflektojnë pikëpamjet e USAID, qeverisë Amerikane, Ambasadës Britanike apo qeverisë Britanike./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro