Jeta e Klevis Shimës, nuk ka qenë e lehtë. Ai ka emigruar në Itali si refugjat në moshën 14-vjeçare, bashkë me vëllain e tij, i cili në atë kohë ishte 15 vjeç. Duke e ditur që të dy ishin minoren, ata u dërguan në shtëpinë e fëmijës në Venecia dhe ky ishte një fat shumë i madh për ta, pasi arritën të kishin një strehë e të arsimoheshin.
Ai e nisi punën si elektricist, por dashuria e tij ishte kulinaria. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Klevis Shima, tregon si arriti që nga asgjëja të bëhej dikush dhe të hapte restorantin “HaPiHa” në Singapor, të cilin e menaxhon vetë.
Sigurisht që për të shkuar deri këtu, ai duhej të ndryshonte disa punë, e njëra prej tyre ka qenë edhe si kamerier duke larë banjot. Në Itali, Klevis Shima njohu bashkëshorten e tij nga Singapori dhe kështu ai u zhvendos në të njëjtin vend ku jetonte e punonte gruaja e tij. Mbas 3 vitesh ata u martuan, e në 2021-shin ai vendosi të hap restorantin “HaPiHa”.
Klevis Shima: Kam ndërruar disa punë në Itali. Kam punuar murator, kam punuar saldator nëpër kroçere të mëdha. Kam ndryshuar mbi 5-6 punë, derisa zbulova dashurinë e jetës time, që është kulinaria.
Blendi Fevziu: Po me kulinari, e zbulove në Singapor apo më parë?
Klevis Shima: Jo më parë, në Itali, në Venecia. Në Venecia ka shumë restorante, është një vend turistik, kështu që është shumë popullor në ushqime. Unë me thënë të drejtën, nuk kam qenë as në kuzhinë, unë kam qenë menaxher. Kam filluar nga kamerier duke larë banjot në fillim, laja banjot dy herë në ditë, njëherë paradite, njëherë pasdite, sa mësova. Futesha në kuzhine, pyesja kuzhinierin: “Si e bën këtë, si e bën atë?” derisa arrita mbas disa vitesh në një rol menaxheri. /tvklan.al