Ish-shefi i Krimeve, Dedan Gjoni, bashkë me 3 persona të tjerë u dërguan në gjyq nga Prokuroria e Posaçme me dyshimet se kanë tentuar të vrasin shtetasin Xhevdet Plaku në Shtator të vitit 2019.
Referuar SPAK vrasja do të kryhej për hakmarrje dhe ishte organizuar nga shtetasi Rexhep Rapi, në bashkëpunim me nipin e tij Alger Rapo, Dejvi Gjermëni, Fatjon Dervishi dhe efektivin e policisë Dedan Gjoni.
Hetimet që nisën nga disa përgjime të kryera nga autoritetet holandeze ndaj shtetasit Dejvi Gjermëni, treguan se si në Shtator të 2019, Dedan Gjoni, në atë kohë polic në Drejtorinë e Durrësit, kishte shoqëruar Xhevdet Plakun dhe më pas njofton Gjermënin për orën kur do të lirohej.
Ky informacion i është dërguar më pas Algert Rapit, nipit të Rexhepit dhe ata janë organizuar për të kryer atentatin në dalje të drejtorisë.
Vrasja dështoi pasi i hetuari Dejvi Gjermëni, rezulton nga përgjimet se ka pasur frikë, se informacioni i dërguar mund të zbulohej më vonë dhe për këtë i ka gënjyer bashkëpunëtorët duke u thënë se objektivi ishte larguar.
Rexhep Rapi, thotë SPAK, kërkonte të vriste Plakun pasi dyshonte se ai ishte autor i vrasjes së një familjari të tij në Itali në vitin 2000.
Tv Klan