4 vite heqje lirie kërkoi Prokuroria e Posaçme për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon, për të cilin i tha gjykatës që ta shpallte fajtor për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” në dy raste.
Për shkak se Dako po gjykohet me procedurë të shkurtuar, në rast të dënimit sipas kërkesës së SPAK ai do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg.
Ish-kryebashkiaku prej disa muajsh është duke u gjykuar në masën e “Arrestit në shtëpi” dhe në seancën e kësaj të marte nuk ishte i pranishëm.
Bashkë me të, SPAK kërkoi dënimin me nga 3 vite burg për akuzën e falsifikimit të dokumenteve për ish-topografin Fatmir Ejupin, ndërtuesin Fiqiri Farruku dhe Adrian Bulkun. Për dy të fundit u kërkua edhe pezullimi i dënimit me burg dhe shlyerja e tij në 4 vite paraqitje në shërbim prove.
Të tre ata gjithashtu do të përfitojnë ulje të dënimit nëse shpallen fajtor sipas kërkesës së SPAK.
Referuar Prokurorisë së Posaçme, Dako shpërdoroi detyrën në lejimin e ndërtimit të një pallati pa i dalë leja dhe në falsifikim dokumentesh, si dhe në mosmarrjen e masave në rregullimin e një gabimi të bërë në përllogaritjen e fondit limit për një projekt të Bashkisë.
Tv Klan