Prokuroria ngre akuzë për abuzim me koncesionin e inceneratorit të Tiranës

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 15 urdhër-arreste për abuzimin me koncesionin e inceneratorit të Tiranës pas gati 3 vite hetimesh.

Nën akuzë janë zyrtarë të lartë të Bashkisë së Tiranës, ish- zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit dhe biznemenë. 

Prokuroria ka kërkuar masën “arrest në burg” për Taulant Tushën, drejtorin e Përgjithshëm të Punëve Publike në bashki, ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist, Alqi Bllako. 

Ndërkohë që nën masën “arrest në burg” janë edhe biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët janë në kërkim edhe për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit.

Kujtojmë se për biznesmenin Klodian Zoton është urdhër-arresti i tretë që lëshon prokuroria, ndërsa për Mirel Mërtirin i dyti.

Nën akuzë janë edhe anëtarët e tjerë të komisionit, të cilët kanë aprovuar konçesionin e inceneratorit të Tiranës në vitin 2017. 

SPAK po e heton këtë dosje për 4 akuza, “korrupsion”, “shpërdorimi i detyrës”, “pastrim parash” dhe “mashtrim me pasoja të rënda”.

Më 1 Gusht, Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi vendosjen e sekuestros preventive ndaj kompanisë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k”, që është kompania koncesionare e inceneratorit të Tiranës si dhe të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të kësaj kompanie.

Klan News