7 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, mes të cilëve Redi Molla dhe Mariglen Qato u dërguan në gjyq nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e njohur si 5D nën akuzat e korrupsionit, mosdeklarimit të pasurisë, pastrimit të parave dhe shkeljes së barazisë në tendera.

SPAK thotë se ka konfirmuar se Molla dhe Qato, teksa mbanin drejtimin e “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a apo IMT kanë qenë pronarë “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k..

Kjo kompani nga viti 2016 deri në 2020 ka përfituar 12 tendera nga UKT, nga Bashkia e Tiranës, “Tirana Parking” sh.a dhe “Klubi Sportiv Tirana” sh.a.

“Nga veprimet hetimore të kryera, nga analiza e hetimit financiar dhe akti i ekspertimit të kryer nga eksperti kontabël është provuar fakti se në 12 (dymbëdhjetë) procedurat e prokurimit që janë përfituar nga shoqëria “5D Konstruksion” sh.p.k në kundërshtim me ligjin dhe rregullat e prokurimit publik, kjo shoqëri tregtare ka realizuar përfitime monetare në total në shumën 192,779,188 lekë”.

Në procedurat e tenderimit, ku kompania është shpallur fituese, është favorizuar nga ish-zyrtarët e tjerë të marrë nën hetim për shkelje të barazisë në tendera, mes të cilëve edhe Taulant Tusha.

SPAK tha në komunikimin zyrtar, se në kuadër të këtyre hetimeve janë vënë në sekuestro kompania 5D, pasuri në pronësi të Redi Mollës dhe Mariglen Qatos dhe aksionet në dy shoqëri të tjera private që janë gjetur lidhje me ish-zyrtarët.

Ndërkohë për disa fakte penale të tjera, SPAK njoftoi se ka ndarë në 2 dhjetor një procedim tjetër dhe po vijon hetimet për ish-zyrtarë të tjerë që mund të kenë qenë në drejtimin e kompanisë 5D dhe po heton edhe 11 procedura të tjera tenderimi.

Tv Klan