Belind Këlliçi, drejtuesi politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, mohoi pas daljes nga SPAK pretendimet se ai ka bërë deklarim të rremë lidhur me diplomën e shkollës së mesme.
“Nuk jam një person anonim që nuk me njeh askush. Mund të shkoni të shikoni dëftesën e 8-vjeçares dhe të shkollës së mesme dhe të kuptoni se kush është Belind Këlliçi. Edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria më e madhe e jetës sime. Një nga krenaritë e mia të jetës është që kam denoncuar korrupsionin që ndodh çdo ditë në Bashkinë e Tiranës. Është një nga aferat më të mëdha korruptive në Evropë.”
Ish-deputeti shtoi se kushdo që ka diçka në raport me të duhet t’i dalë përballë.
“Kam dhënë sqarimet e mia në raport me të gjitha shpifjet e hedhur ndaj meje për shkak se kam rrëzuar një skemë korruptive me vlerë 1 miliard euro, atë të inceneratorit të Tiranës dhe kam rrëzuar bandën më të madhe të hajdutëve që ka parë Ballkani Perëndimor, 5D. Jam i hapur në dispozicion të drejtësisë për cdo pyetje, sqarim në raport me mua, familjen time apo këdo që është i lidhur me mua nga dita që kam lindur deri më sot. Kushdo që ka diçka në raport me mua, me deklaratat e mia, të nxjerrë fytyrën ballë për ballë, ashtu siç e kam nxjerrë unë.”
Këlliçi tha se asgjë nuk do mund ta stepë apo t’i mbyllë gojën atij dhe PD për të denoncuar aferat korruptive.
Klan News