Parlamenti i Spanjës nuk e ka përkrahur propozimin e partisë katalunase “Junts” që Spanja ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Nisma për të cilën është debatuar të martën në Parlamentin e Spanjës është hedhur poshtë të enjten nga partitë PSOE, PP dhe Vox, ndërsa “Sumar” ka abstenuar, shkruan europapress.
Deputetja e PSOE gjatë debatit të martën kishte deklaruar se pozicioni i Spanjës për mosnjohjen e Kosovës dihet dhe mbetet i pandryshueshëm.
Nisma e partisë katalunase kërkonte që shteti spanjoll ta njohë pavarësinë e Kosovës, me argumentin se Kosova “përdori të drejtën e saj legjitime për vetëvendosje”.
“Është e papranueshme që shteti spanjoll ndan të njëjtën strategji si Rusia, Kina apo Bjellorusia për refuzimin e njohjes së Kosovës”, thuhej në letrën që kjo parti i kishte dërguar Kuvendit të Spanjës.
Spanja, sipas tyre ka marrëdhënie indirekte me Kosovën, meqë ka pranuar pasaportat e shtetit të Kosovës pas liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian.
Spanja dhe katër vendet e tjera të Bashkimit Evropian Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Tv Klan