Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Të shtrohesh në spital përveç të tjerave, duhet të mos harrosh të marrësh me vete dhe çarçafët dhe batanijet, pasi dhe në rastet kur spitali disponon ato janë të papërdorshme për shkak të papastërtisë.

Në spitalin e Pediatrisë në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, shtyrja e tenderit për blerjen e ilaçit të rrobave, ka bërë që prindërit e fëmijëve të shtruar të detyrohen t’i marrin shtrojet nga shtëpitë e tyre.

Prindi 1: “Këto çarçafë që kam, me gjithë batanije ia kam marrë nënës time, nuk kam dhe në aq gjendje nuk jam që të marrë’.

Gazetarja: Po të spitalit pse nuk i përdorni?

Prindi 1: “Po nuk ka çarçafë e batanije spitali, po nuk kanë patur”.

Prindi 2: “Përsa i përket çarçafëve e batanije nuk ekzistojnë, bilës u kam kërkuar çarçafë, kanë thënë, nuk kemi çarçafë. Mesa pyeta për më tej, më thanë, që nuk ekziston pluhri i sapunit, për të larë çarçafët dhe mjetet e tjera. Çarçafët i kemi blerë këtu dhe kushtet të detyrojnë që t’i blesh”.

Në Ministrinë e Shëndetësisë nuk dinë asgjë për shtyrjen e tenderit, për blerjen e ilaçit të rrobave për lavanderinë e vetme të qendrës spitalore, ndërsa në drejtorinë e këtij spitali, për shkak të pushimeve për festën e Pashkëve, nuk mund të gjesh asnjë njeri që të japë përgjigje për këtë problem./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka