Një gjykatë në Britani ka dënuar ish-ushtarin Daniel Khalife me 14 vjet e tre muaj burg për spiunim për Iranin dhe arratisje nga burgu. Khalife, i cili ishte arratisur nga burgu më 2023, nëntorin e vitit të kaluar ishte gjetur fajtor për spiunim për Teheranin.
Gjykatësja Kaur Cheema-Grubb, gjatë shqiptimit të dënimit më 3 Shkurt e përshkroi Khalifen si një “budalla të rrezikshëm” i cili fillimisht u nxit “nga dëshira për t’u mburrur” sesa për të dëmtuar interesat e Mbretërisë së Bashkuar.
“Vetë fakti që keni nisur një plan kaq të rrezikshëm tregon papjekurinë tuaj dhe mungesën e mençurisë”, tha Cheema-Grubb.
Khalife, 23-vjeçari i lindur në Londër, iu bashkua ushtrisë britanike në 2017-ën. Pak kohë pas kësaj, ai nisi të mblidhte informacione të ndjeshme dhe t’i ndante me agjentët iranianë. Për këtë shërbim ai ishte paguar me para të gatshme dhe u kishte thënë bashkëpunëtorëve të tij iranianë se ai do të ngjitej në gradat në ushtri “me lehtësi”.
Khalife u arratis nga burgu Vansvord i Londrës në shtator të vitit 2023 në kohën kur po priste nisjen e gjykimit. Ai qëndroi në arrati për tri ditë, para se të kapej nga autoritetet.
/REL