Mbetet e paqartë e ardhmja e USAID, që menaxhon fondet e ndihmës së Shteteve të Bashkuara nëpër botë pas përplasjeve të drejtuesve të saj me Departamentin për Eficencën qeveritare të drejtuar nga miliarderi Ilon Mask. Në një postim në rrjetin social “X” në pronësi të tij, Mask e konsideroi agjencinë “organizatë kriminale”. Në një tjetër videomesazh, Mask u shpreh se agjencia nuk ishte veçse “një mollë e kalbur, e një top plot me krimba” dhe tha se presidenti Trump mendon që kjo agjenci të mbyllet.
Puna e agjencisë, prej ditësh është e pezulluar, ndërsa punonjësit e saj u udhëzuan të mos futen të hënën në selinë qendrore në Uahsington. Gjithashtu rreth 600 punonjësve u ishte ndaluar qasja tek sistemet kompjuterike të agjencisë, ndërsa asetet e saj nëpër botë janë ngrirë me urdhër të Donald Trump dhe Departamentit të Shtetit që e ka nën juridiksion.
Të Shtunën, dy zyrtarë të sigurisë së USAID-it u penguan hyrjen përfaqësuesve të departamentit të Maskut, të cilët kërkonin të dhëna për fondet, në kuadër të misionit për reduktimin e shpenzimeve të tepruara të administratës amerikane. Përfaqësues të kësaj agjencie thanë se personat që u paraqitën nuk ishin të autorizuar për të marrë informacion.
SHBA janë donatorët më të mëdhenj të ndihmave humanitare nëpër botë përmes USAID që administron miliona dollarë që jepen për projekte zhvillimi më shumë se 100 vende që luftojnë me varfërinë. Sipas Ambasadës Amerikane në Tiranë, që nga hapja e zyrës së tij në 1992 USAID ka dhënë 500 milion dollarë asistencë gjatë tranzicionit dhe zhvillimeve demokratike në Shqipëri.
Tv Klan