Me vizitën e tij në Gjermani kryeministri britanik Kir Starmer kërkon të përmirësojë marrëdhëniet e vendit të tij me pjesën tjetër të Evropës. Në konferencën për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz Starmer tha se kërkon që në qendër të përpjekjeve të tij për të nxitur rritjen ekonomike të Britanisë të vendosë lidhje më të mira me bllokun.
“Rritja ekonomike është misioni numër një i qeverisë sime dhe ajo që ne e kuptojmë qartë është se ndërtimi i marrëdhënieve me partnerët tanë këtu në Gjermani dhe në të gjithë Evropën është jetik për ta arritur atë.”
Në bisedimet në Berlin, kryeministri britanik bëri të ditur se do të punohet në një traktat që mbulon çështjet nga mbrojtja deri tek tregtia. Britania dhe Gjermania, vende anëtare të NATO-s dhe shpenzuesit më të mëdhenj në fushën e mbrojtjes në Evropën Perëndimore, po kërkojnë mënyra për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes përpara mundësisë që Shtetet e Bashkuara të pakësojnë mbështetjen ushtarake për Ukrainën nëse republikani Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit të ardhshëm.
Klan News