Ankesa e radhës në emisionin “Stop” në Tv Klan, vjen për gjyqtaren Megi Strakosha, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Sadik Karaj thotë se kishte një problem me pensionin dhe për këtë arsye hodhi në gjyq ISSH-në për njohjen e viteve të punës. Gjykata ia pranon kërkesë-padinë, por që nga data 11 korrik 2023 deri më sot nuk i është zbardhur vendimi.
Sadi Karaj: Kam katër vjet që nuk marrë pensionin. Kam punuar në Ndërmarrjen Bujqësore Belsh, ’70-ën kam filluar punë, nja 3 vjet, pastaj ika ushtar dhe kam filluar në Ndërmarrjen Bujqësore Elbasan, në Vreshtaj.
Gazetarja: Dhe sa vite të pensionit nuk të rezultonin?
Sadi Karaj: Nuk më rezultonin 8 vite. 14 vjet m’u gjendën tek Sigurimet Shoqërore dhe vitet e tjera nuk m’u gjendën, bashkë me librezën e punës. Nuk e gjeta asnjëherë.
Gazetarja: Dhe për këtë arsye, qytetari Sadi Karaj iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku padite…
Sadi Karaj: Padita Sigurimet Shoqërore për të gjetur vitet e punës.
Gazetarja: Dhe gjyqtarja ishte?
Sadi Karaj: Megi Strakosha.
Gazetarja: E cila vendosi?
Sadi Karaj: Mua të më njiheshin vitet e punës edhe në ndërmarrjen Belsh, edhe në ndërmarrjen Elbasan, Vreshtaj.
Gazetarja: Pra me pak fjalë, zoti Sadik, ty t’u pranua kërkesë-padia nga kjo gjykatë?
Sadi Karaj: Nga gjykata po.
Gazetarja: Kur u zhvillua gjyqi?
Sadi Karaj: Gjyqi është zhvilluar më 11 korrik 2023.
Gazetarja: Sot jemi në fund shkurti të 2024-ës dhe ty ende nuk të është bërë…
Sadi Karaj: Zbardhja e vendimit.
Gazetarja e “Stop” vendos në dijeni punonjësit e Gjykatës dhe zëdhënësja thotë, se gjyqtarja Strakosha ka marrë lejen e lindjes. Megjithatë pas komunikimit tonë, gjyqtarja bëri zbardhjen e vendimit brenda ditës.
Sadi Karaj: Të përgëzoj me gjithë shpirt, me gjithë zemër, që edhe ju bëtë ndërhyrjen tuaj (drejtuar gazetares). /tvklan.al