Udhëzimi numër 30 i Ministrisë së Arsimit thotë se në zonat urbane, klasat duhet të formohen me jo më pak se 20-25 fëmijë. Në kopshtin e Rrogozhinës janë 10 edukatore për 129 fëmijë, pra 1 edukatore për 13 fëmijë, ku dhe kjo është shkelje. Nga këto 10 edukatore, 5 janë në shkelje me emërimet e tyre.

Ndriçim Mehmeti tregon se për të qenë mësues i arsimit parashkollor, ose siç quhet edukatore për kopsht, duhet të kesh baçelor për arsim parashkollor dhe asnjë arsimim tjetër nuk pranohet, pasi parashikohet me ligj. Sipas Mehmetit, nëse nuk ka edukatore me arsimin përkatës, merren nga qytetet e tjera.


Gazetarja: Për të qenë edukatore në kopsht, cili është arsimimi që duhet dhe a lejohet që një edukatore të ketë arsim tjetër?

Ndriçim Mehmeti: Për të qenë mësues i arsimit parashkollor, duhet vetëm baçelor në arsimin parashkollor, por është taksative të jetë baçelor, sipas nenit 57, profesioni i mësuesit.

Gazetarja: A lejohet në rastin, kur nuk kemi edukatorë në arsimin përkatës?

Ndriçim Mehmeti: Jo, duhet ta gjesh, s’ka rëndësi. Në qoftë se Bashkia, po themi, e Kamzës nuk ka, mund të marrë nga Bashkia e Tiranës, ata që janë në listë-pritjeje. Përderisa ti ke bërë një portal dhe ti i ke të regjistruar të gjithë.


Duke qenë se 5 vende në atë kopsht janë të zëna nga edukatore të emëruara pa kriter dhe jashtë profilit, Mimoza Bida me arsimimin përkatës dhe eksperiencën e duhur është zhvendosur në Luz të Madh.

Ndriçim Mehmeti thotë se ligji e parashikon që nëse ka vend duhet të emërohet aty dhe fakti që është çuar larg, është tendencë pas gjithë shkeljeve që janë bërë nga Bashkia Rrogozhinë.

Ndriçim Mehmeti: Në rastet që ju paraqitët, ne kemi me bollëk shkelje të rënda, ku mësues kanë mundur të “strehohen” në institucionet e arsimit parashkollor dhe zonja në fjalë, që ka të gjithë shkollimin e të gjitha kriteret për t’u vendosur atje, largohet diku larg. Duket që ka një tendencë, këtu nuk flasim për t’i bërë nder asaj, por për t’i dhënë atë që e meriton. Fare haptazi është shkelur ligji dhe në mënyrë të qartë padrejtësia atje sundon mbi zbatimin e ligjit parauniversitar dhe të gjitha udhëzimeve që rrjedhin prej tij. /tvklan.al