Emisioni “Stop” në Tv Klan, ka investiguar një kompani private që merret me mbetjet spitalore “Vale Ricyling” shpk. Sipas informacioneve, kjo kompani prej vitesh fiton tendera për mbetjet spitalore, por në fakt i mungon pajisja ECONOS, që djegë këto mbetje.

“Stop” pret përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komisioni i Prokurimit Publik, institucione të cilat duhet të reagojnë, se pse po i jepen mbetje spitalore këtij subjekti, i cili s’ka me çfarë i asgjëson.

Së fundmi do te ndalemi tek një pistë tjetër e “Vale Ricyling” shpk, e cila në një prej tenderave që ka marrë pjesë, ka denoncuar rivalin e vet me pretendimin që nuk plotëson kriteret. SPAK ka nisur hetimet menjëherë, duke krijuar presion tek KPP që të anulojë tenderin.

Në këtë fazë, SPAK nuk duhet të kishte nisur hetimin, sepse në atë fazë që u bë denoncimi nuk ishte shpallur fituesi. Sipas avokatit Arben Llangozit, SPAK duhet të kishte nisur hetimin kur fakti të ekzistonte dhe jo duke hamendësuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.

Arben Llangozi: Ky tender, është hapur procedura për të filluar prokurimin publik, kanë marrë pjesë aplikantët, një subjekt e ka ndjerë veten inferior. Në moment që hapet një procedurë tenderimi, pra nuk merret vesh se çfarë oferte ka sjellë një palë, çfarë dokumentacioni ka sjellë një palë, por me ndikim mendoj nga brenda institucionit përkatës, subjekti ka marrë dijeni që është inferior dhe nuk mund ta fitonte këtë tender dhe ka bërë kallëzimin përkatës. Se nga ta dinte ai subjekt se çfarë dokumentacioni kishte dorëzuar pala e vetë kundërshtare. Pra, ka përdorur SPAK-un në këtë variant dhe SPAK-u ose është bërë karrem, ose me qëllim ka vijuar një hetim të paligjshëm, sepse ky është një procedim që nuk duhet të fillonte. Në moment që është bërë kallëzimi SPAK-u duhet të kishte konstatuar që nuk ka pasojë, sepse nuk është bërë akoma prokurorimi publik. Prokuroria heton faktin penal që ka ndodhur, nuk mundet që prokuroria të hetojë një fakt penal që mund të ndodhë në të ardhmen, sepse e ardhmja është gjithmonë e pasigurt. Pra, prokuroria heton gjithmonë faktin penal, që në rastin aktual nuk kemi një fakt penal të pabarazisë në tendera, sepse tenderi nuk është zhvilluar kurrë. /tvklan.al