Demir Betoja denoncon në emisionin “Stop”, në Tv Klan, se ka dy vjet që magazina e tij rri e bllokuar, për shkak se qiramarrësi, një shtetas jordanez, kishte futur mall të skaduar që u bllokua nga AKU.
Betoja tregon, se pak ditë pasi u bllokua malli, disa persona nga AKU shkuan në magazinë me një kamion të mbledhjes së mbeturinave, por për shkak të mungesës së një inspektori, produkti nuk u mor dhe magazina ka 2 vjet me çelës.
Demir Betoja: Kam disa kohë, po bën 4 vjet që kam dhënë një magazinë me qira. Këtë e pati marrë një nga Jordania. Mirëpo kontratën e kisha për 2 vjet; pa mbushur 2 vjet akoma, erdhi një kontroll nga AKU edhe e gjetën me mall të skaduar, edhe e bllokuan. Edhe unë duke pritur se çfarë do bënte shteti me ato. U lidha me pronarët: “Jo do vijmë sot, jo do vijmë nesër”, edhe erdhën ata për të hapur magazinën, për të marrë mallin për ta sekuestruar. Erdhën ata me gjithë makinën e plehrave që merrnin ata për t’i çuar në sekuestrim dhe nuk erdhi një, nuk e di çfarë ishin ato, ata e lanë, e shtynë për një ditë tjetër. Prit se po vijnë, u bë tani kohë e gjatë, u bë 4 vjet që magazina është e mbyllur.
Gazetari: Ndërkohë ju keni kërkesa për ta dhënë me qira përsëri këtë… sepse për atë arsye e keni bërë magazinën.
Demir Betoja: Për nevoja familjare, mua më kanë dënuar sipas asaj. Jam i dënuar unë, jo ai që e ka pasur.
Gazetari: Keni shkuar tek AKU-ja ose tek prokuroria? Çfarë ju thonë?
Demir Betoja: Kam shkuar tek AKU-ja, kam shkuar 3-4 herë. Kam shkuar tek prokuroria, kam shkuar tek gjykata, thonë: “S’e kam unë”.
Gazetari: Po ç’kusur ke ti?
Demir Betoja: Po çfarë kusuri kam unë tani, ku e di unë.
Në AKU na thonë se nuk bëjnë asnjë lëvizje, pasi çështja ka shkuar prokurori dhe gjykatë. Një vendim i shkallës i gjyqtarit Albert Mickaj, ka vendosur, që malli i skaduar të lihet në ruajtje tek magazina e Betojës. Nga ana tjetër shtetasit jordanez iu la hapësirë për të ikur nga Shqipëria.
Në prokurorinë e Tiranës mësuam se prokurori që kishte çështjen, ka ikur nga sistemi për shkak të vettingut dhe çështja është në Apel, që nga janari 2023. I dëmtuari i vetëm është pronari i magazinës Demir Betoja, që nuk ka asnjë lidhje me çështjen, por vetëm llogarit dëmin financiar prej 8.5 milionë lekësh.
Demir Betoja: Unë kërkoj nga emisioni “Stop” që të më lirohet magazina edhe të më shpërblehet dëmi që më ka bërë mua nga 2 vjet. /tvklan.al