Një studim i fundit ka treguar se majmunët i vendosin pseudonime njëri-tjetrit.
Marmosetët përdorin thirrje të veçanta që quhen “phee” për t’u identifikuar dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin. Deri më tani, mendohej se vetëm njerëzit, elefantët dhe delfinët mund ta bënin këtë.
Ky zbulim thekson kompleksitetin e ndërveprimit social te marmosetët dhe kjo mund të ndihmojë në zbërthimin e misterit të evolucionit të gjuhës njerëzore.
Ekipi kërkimor regjistroi bisedat mes çifteve të marmosetëve si dhe ndërveprimet mes majmunëve dhe një sistemi kompjuterik. Rezultoi se majmunët përdorin thirrjet “phee” për t’iu drejtuar individëve të ndryshëm.
Gjithashtu ata mund të dallonin kur u drejtohej një thirrje dhe i përgjigjeshin më saktë. Anëtarët e së njëjtës familje përdorin etiketime zanore për individë të ndryshëm dhe tingëllime të ngjashme për të koduar emra të ndryshëm, njësoj si emrat dhe dialektet te njerëzit.
Procesi i nxënies ndodh edhe mes majmunëve të rritur që nuk kanë lidhje gjaku, duke treguar se ata mësojnë zanoret dhe dialektin nga anëtarë të tjerë të grupit.
Sipas shkencëtarëve, këto tinguj mund t’i kenë ndihmuar majmunët që të ruajnë komunikimin në pyjet e dendur tropikalë ku jetojnë. Kështu ata ruajnë lidhjet shoqërore dhe kohezionin e grupit.
Marmosetët jetojnë në grupe të vogla familjare monogame dhe kujdesen bashkë për të vegjlit. Ata mund të kenë kaluar sfida të ngjashme evolucioni social si paraardhësit tanë dhe kjo mund t’i ketë shtyrë të krijojnë metoda komunikimi.
Studimi tregon edhe mekanizmin kompleks të trurit të majmunëve që me gjasë mund të jetë analog me paraardhësit tanë të cilët më vonë zhvilluan gjuhën e folur./tvklan.al