Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, vendi i të cilit nga sot merr drejtimin e Bashkimit Evropian ka thënë se duhet bërë vlerësimin e ecurisë së zgjedhjeve përpara se të ecet më tutje me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Bildt tha, se në një moment të caktuar kohor aplikimi i Shqipërisë do t’i dërgohet Komisionit Europian, i cili do të përgatisë opinionin e tij lidhur me këtë çështje.
Po kështu, në një intervistë dhënë për rrjetin britanik BBC, kryeministri i Suedisë, Fredrik Reinfilld tha, se Suedia do të bëjë gjithçka për intensifikimin e procesit të zgjerimit të BE-së. Sipas, tij Stokholmi zyrtar është i bindur se blloku duhet të zgjerohet, mbështetur kjo në bazë të qeverisjes së ligjeve dhe besimit në të drejtat e njeriut dhe tregut të lirë. Në një prezantim të prioriteteve të Presidencës çeke për 6 mujorin e dytë të këtij viti, lufta kundër krizës ekonomiko-financiare, hapja e vendeve të punës dhe problemet me ndryshimet e klimës, janë tre prioritetet kryesore.
Por vëmendja do të fokusohet edhe te kriza politike që Evropa po përjeton aktualisht me çështjen e ratifikimit të Traktatit të Lisbonës që ende nuk është aprovuar nga të gjitha vendet anëtare. Të shumta janë edhe çështje të tjera jo më pak të rëndësishme që Suedia duhet të përballje, siç është organizimi i Parlamentit të sapo zgjedhur, organizimi i Komisionit që i mbaron afati në tetor dhe emërimi i presidentit të tij, duke mos harruar referendumin e dytë irlandez për traktatin e Lisbonës që pritet të zhvillohet në vjeshtë.
Në planet e suedezëve bën pjesë edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian, zhbllokimi i negociatave me Kroacinë, që aktualisht janë bllokuar nga vetoja e Sllovenisë për shkak të një mosmarrëveshjeje kufitare ndërmjet dy vendeve, si dhe progresi i integrimit të Turqisë./tvklan.al
Gazetare: Bora Sadriaj