Një ditë pas masakrës në Gaza ku të paktën 93 persona humbën jetën në qytetin BeitLahia në veri të enklavës sulmet e ushtrisë izraelite nuk kanë ndalur. Janë regjistruar një seri sulmesh në të gjithë Rripin e Gazës që i kanë marrë jetën të paktën 30 personave.

Fokusi i Tel Avivit ka qenë veriu i Gazës dhe pasojat e kësaj ofensive ushtarake kanë qenë katastrofike për banorët të cilët vuajnë mungesën e ushqimeve, por edhe ilaçeve. Zyrtarët në Beit Lahiya në një deklaratë u kërkuan fuqive botërore dhe agjencive të ndihmës që të ndalojnë sulmet e Izraelit dhe të lejojnë ndihmat humanitare.

Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shuajnë konfliktin përmes përpjekjeve diplomatike. Ndërmjetësuesit amerikanë po punojnë për një propozim për të ndalur armiqësitë midis Izraelit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah, duke filluar me një armëpushim 60-ditor.

Zyrtarët amerikanë, përfshirë drejtorin e CIA-s, William Burns dhe të dërguarit Brett McGurk dhe Amos Hochstein, do të vizitojnë Egjiptin dhe Izraelin të enjten për të diskutuar çështjet që përfshijnë Iranin, Libanin dhe lirimin e pengjeve në Gaza.

Përpjekja e fundit e armëpushimit vjen pasi operacioni i Izraelit kundër Hezbollahut të mbështetur nga Irani në Liban vazhdon të zgjerohet.  Ushtria e saj lëshoi një urdhër të parë evakuimi për qytetil lindor të  Baalbek, ku banonin dhjetëra mijëra libanezë myslimanë shiitë.

Qyteti është i mbrojtur nga UNESCO-s që në vitin 1984 dhe ndodhen disa prej tempujve më të rrallë romakë.

Klan News