Tirana e ka nisur mbarë fazën e tretë të Superligës me fitore ndaj Lushnjës 2-1, duke hequr tersin e barazimeve. Ky fat nuk ishte për Vllazninë që me Bylisin e mbylli pa gola ndërsa Dinamo e pati të lehtë të mundë Apoloninë 3-1. Bardheblutë nuk kanë mundur të shkëputen shumë pasi shkodranët janë vetëm 2 pikë larg por të paktën kanë rigjetur golin. Memelli dhe kapiteni Muka kanë shënuar për ekipin e Kolës që nuk e bënte këtë prej 3 ndeshjesh.
Vllaznia nuk po arrin të ndryshojë kurs duke bërë që Haxhiosmanovic ta nisë pa sukses detyrën e tij si trajner.
Dinamo është kthyer e papërmbajtshme duke njohur vetëm fitore qëkur Muça mori drejtimin e ekipit gati 1 muaj më parë. Blutë e kryeqytetit tani mund të shpresojnë sërish te titulli objektivi kryesor për këtë sezon. Teuta pas fitores së bujshme 4-0 ndaj Vllaznisë javën e kaluar ka mundur edhe Partizanin 3-2. Takimi i luajtur në Durrës ka qenë shumë emocionues ku miqtë mund të kishin dalë edhe të fituar pasi e parë veten dy herë në avantazh. Goli vendimtar ishte ai i Hysës në momentet e fundit duke i dhënë ekipit të Starovës 3 pikët. Takimet e tjera të ditës Shkumbini-Flamurtari dhe Besa-Elbasani u mbyllën në barazim 1-1. Në mes javë radhën do ta ketë Kupa e Shqipërisë që do të përcaktojë ekipet gjysmëfinaliste./tvklan.al
Gazetari: Endrit Sauku