E pazakontë, apo jo? Panorama që të shfaqet në të dyja anët e superstradës Fushë Krujë-Milot është kthyer tashmë në një traditë që me siguri na dallon nga vendet e tjera.
Bëhet fjalë për tregtimin e mishit buzë rrugës nacionale, një fenomen që më shumë se një veçori e zonës ka të bëjë me iniciativën e pakontrolluar të banorëve për të shitur kudo.
Me frikën për të mos u dalluar nga kasapët ambulantë arrijmë të filmojmë këto parulla që edhe pse kanë rënë në sytë e kontrollorëve të bujqësisë mbeten kthesa të hapura për kureshtarët apo kalimtarët e rastit.
Hasan Stafa: “Janë mbi 30 e sa pika, të ashtuquajtura pika abuzive që tregtohet mish i llojeve të ndryshme, të imëta, të trasha dhe mish derri në mënyrë totalisht të kundraligjshme. Ne kemi pasur raste kur janë intoksikuar konsumatorët, pra janë prekur konsumatorët nga konsumi i këtij mishi të pakontrolluar.”
Siç ndodh rëndom përgjegjësia edhe në këtë rast mbi shumë institucione. Ashtu si për ligjin anti-duhan fenomeni tolerohet për aq kohe sa askush nuk po tregon vullnet për ta parandaluar.
Hasan Stafa: “Ligji i ushqimit, ligji i konkurrencës dhe një sërë ligjesh të tjera si dhe ligji për shëndetin publik në mënyrë kategorike, në mënyrë eksplicite përcaktojnë dhe ndalojnë këtë lloj tregtimi në mënyrë abuzive. Kontrolli është me një fjalë në 28 pika. Mund t’i kontrollosh për gjysmë ore. Me vite të tëra s’janë kontrolluar.”
E nëse kjo pamje nuk çudit më askënd ajo është e mjaftueshme për t’i dhënë emërtimin superstrada e mishit, kësaj rruge të njohur më së shumti për aksidentet automobilistike./tvklan.al